E premte, 22 Nëntor, 2024

KONSTITUOHET KËSHILLI I BASHKISË MAT, AGIM HYSA ZGJIDHET KRYETAR

Këshilli i ri i Bashkisë Mat i dalë nga zgjedhjet e 21 Qershorit, mori formën zyrtare dhe ligjore të tij që do të ketë për katër vitet e ardhshme. Mbledhjen e parë të këshillit e drejtoi fillimisht anëtari më i moshuar, që në këtë rast ishte këshilltari i partisë Fryma e Re Demokratike, Qemal Cenaj.
Më pas u ngrit komisioni i vërtetimit të mandateve për këshilltarët dhe u lexua formula e betimit:
Pika e tretë e rendit të ditës ishte mbi zgjedhjen e kryetarit të këshillit bashkiak. Fillimisht u ngrit komisioni i votimit e më pas u bënë propozimet e emrave nga grupet e këshilltarëve. Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane propozoi anëtarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Agim Hysa, ndërsa aleanca popullore për punë dhe dinjitet anëtarin e partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Sefer Elezi. Nga votimi i 21 anëtarëve, kryetar i Këshillit të Bashkisë Mat, u zgjodh Agim Hysa me 13 vota, ndërsa kandidati i të djathtëve Sefer Elezi, mori 8 vota:
Në pikën e katërt të rendit të ditës, këshilltarët e Bashkisë Mat zgjodhën zëvendëskryetarin e këshillit bashkiak. Koalicioni i majtë doli me kandidaturë anëtarin e partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Roland Sulika, ndërsa koalicioni i djathtë nuk paraqiti kandidaturë, duke bërë që Sulika të zgjidhej pa rival.
Në pikën e pestë të rendit të ditës u bë deklarimi i vlefshmërisë së kryetarit të zgjedhur të bashkisë Mat, Nezir Rizvani si dhe ky i fundit bëri betimin:
Pika e gjashtë dhe e fundit e mbledhjes së parë të këshillit të bashkisë Mat, ishte mbi zgjedhjen e tre anëtarëve të këshillit të Qarkut. Koalicioni i majtë paraqiti kandidatura tre emra si Qazim Gjoni, Qemal Cenaj dhe Luljeta Skura, ndërsa ai i djathtë Lutfie Barçi, Afrim Stafasani dhe Hysen Bukaçi. Pas votimit të fshehtë, tre emrat që do të përfaqësojnë bashkinë Mat në Këshillin e Qarkut Dibër, bashkë me kryetarin e bashkisë i cili është automatikisht anëtar, janë Qazim Gjoni (PS), Qemal Cenaj (FRD) dhe Luljeta Skura (LSI).
Ndryshe nga Bulqiza ku kryetari i bashkisë dhe ai i këshillit bashkiak i përkasin të njëjtit koalicion, në Bashkinë e Matit është ndryshe, pasi kryetari i Bashkisë iu përket të djathtëve, ndërsa të gjitha pozicionet drejtuese në këshillë i përkasin të majtës. Marrdhënia e tyre pritet për tu parë në vazhdimësi të këtij katër vjeçari.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit