E enjte, 21 Nëntor, 2024

10 ditë pas grabitjes, PD pyet Ramën: Pse s’ke thënë asnjë fjalë?

tmp_1396-Alibeaj-9-korrik-640x433-756561804Partia Demokratike ka folur sërish sot për grabitjen e parave në Rinas, duke denoncuar heshtjen e kryeministrit Rama për këtë ngjarje dhe moskapjen e autorëve. Më poshtë deklarata e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj
“Prej 10 ditësh, goditja më e rëndë e sigurisë kombëtare, pushtimi me armë e me maska i aeroportit të vetëm ndërkombëtar, është shoqëruar me heshtjen e plotë të Edi Ramës. Asnjë cicërimë prej tij, edhe pse ngjarja në mesditën e 30 qershorit në Rinas, konfirmoi rënien totale të shtetit, të çdo standardi sigurie në vend.
U përpoq me metoda bizantine të gjente fajtorë e përgjegjës jashtë vetes, por dështoi pasi faktet e bera publike nga opozita, nga mediat dhe nga zyrtarët e Aeroportit, tregojnë se policia ka qënë vetëm disa metra larg grabitjes dhe nuk ka reaguar.
Drejtori i Kufirit në Ministrinë e Brendshme, e ka konfirmuar vetë se policët kanë qënë fare pranë vendit ku ndodhi grabitja, por sipas tij nuk kanë pasur fushëpamje. Pra në fushën e hapur të pistës së avionëve, policët nuk kanë arritur të dallojnë persona me maska dhe të armatosur që grabisin disa thasë me euro dhe ikin pa u hyrë ferrë në këmbë.
Këto rrethana, kalimi i 10 ditëve pa gjetur asnjë autor, ngjarje të rënda të përsëtirura në këtë aks që është një nyje strategjike, dëshmojnë rënien e shtetit, rënien e çdo standardi të sigurisë në këto 3 vite.
Arsyeja kryesore pse krimi arriti në këtë nivel të paimagjinueshëm, ka të bëjë me rënien e ligjit në këto 3 vite, me sundimin e bandave, me krimin e veshur me pushtet dhe pushtetin e veshur me krim, me drogën që ka mbuluar cdo pëllëmbë të vendit, me trafikun e armëve, me inkriminimin e pikave kyçe të policisë me faktin se kriminelë të njohur ulen në zyrën e ministrit të brenshëm për ndërmjetësime private, me faktin se kriminelë, trafikantë, vrasës e përdhunues me Edi Ramën u bënë deputetë, kryetarë bashkie e shefa të zyrave publike.
Janë të gjithë këto arsyet pse krimi goditi, sulmoi dhe pushtoi aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend. Janë të gjithë këto arsyet pse Shqipëria, me Edi Ramën, nuk është më një vend i sigurtë.”

Artikuj te ngjashem

Me te fundit