Pas rezultateve të fundit në Formula 1, në vendin e Apenineve po ngrihen dyshimet se Sebastian Vettel po mendon largimin nga kjo skuadër.
Është e vërtetë që Vettel kur firmosi me Ferrarin e dinte shumë mirë që do të përjetonte një vit të parë tranzicioni me këtë skuadër ku gjërat shkuan sipas parashikimeve me Ferrarin që rezultoi si alternativa e vetme për fitore në momentin që gabonte Mercedes.
Për këtë sezon në Maranello synohej fitorja e titullit, por problemet me besueshmërinë si dhe shfaqja e Max Verstappen bënë që Ferrari të parakalohej nga Red Bull, situatë kjo që duket se nuk po i pëlqen gjermanit.
Vettel ka me Ferrarin një kontratë që skadon në vitin 2017, por 4 herë kampioni i botës mund të fillojë që tani të kërkojë një skuadër të re për të qenë i përgatitur në momentin që mbyllet kjo kontratë. I vetmi opsion që i mbetet është Mercedes, pasi Red Bull me Ricciardon dhe Verstappen duket se ka gjetur ekuilibrin.
MF/tvbulqiza.al