Përpjekja për grusht shteti në Turqi ka nxjerrë në pah ndarje të fshehta ideologjike midis komunitetit turk në vend.
“Ne turqit në Maqedoni jemi ‘Efendi’ (fisnikë). Ne nuk luftojmë dhe nuk hapim telashe, por s’kemi marrë kurrë ndonjë fjalë të ngrohtë nga ndjekësit e Gulenit që jetojnë në këtë vend,” thotë Tahsin Ibrahim, kreu i MATUSITEB, një organizatë që bashkon dhjetëra OJQ turke në Maqedoni.
Të shtunën e kaluar Ibrahimi udhëhoqi një protestë në Shkup në mbështetje të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, i cili sapo kishte shtypur një përpjekje për jë grusht shteti fundjavën e kaluar, për të cilën ai fajësoi liderin fetar në mërgim Fethullah Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara.
OJQ-të të udhëhequra nga ky profesor matematike nga qyteti perëndimor i Gostivarit, mbështetën gjithashtu nxënësit e shkollës së mesme që grisën diplomat e tyre para shkollës së mesme private “Jahja Kemal” në Shkup – një tjetër lëvizje që tregoi një ndarje ideologjike midis disa turqve të Maqedonisë.
Ibrahimi nuk është i vetmi turk në Maqedoni, i cili mendon se pas shkollës së mesme “Jahja Kemal” është armiku i madhe i Erdoganit, Guleni.
“Do të grisen edhe shumë diploma të tjera,” thotë ai, duke pirë me ngadalë kafen e tij turke në zyrën e tij në pazarin e vjetër turk në Shkup.
Menaxhuesit e shkollës nuk pranuan të jepnin komentet e tyre mbi akuzat e Ibrahimit apo për atë që bënë nxënësit me diplomat. Por burime që dëshirojnë të mbeten anonim thonë se shkolla drejtohet nga shtetas turq të njohur se i respektojnë mësimet e Gulenit. Megjithatë, ata pretendojnë se vetë kleriku nuk ka kapital të investuar në shkollë.
Pronarët e shkollës, thonë burimet e BIRN, nuk shihen si mbështetës të Gulenit, por nuk e mohojnë që frymëzohen nga disa nga idetë e tij, një nga të cilat është se vetëm arsimi mund ta frenojë varfërinë dhe mund të krijojë paqe të qëndrueshme.
“Pas kaq shumë luftërash gjatë gjithë historisë, askush nuk ka fituar. Ka ardhur koha t’i japim fund kësaj praktike dhe jemi qenie njerëzore. Kjo është ajo që na mëson Guleni,” tha për BIRN një burim në Maqedoni që e njeh mirë punën e tij.
Rreth 80,000 turq etnikë përbëjnë rreth 4 për qind të popullsisë së Maqedonisë, e cila përbëhet nga 2.1 milion banorë.
Mosmarrëveshjet midis turqve në Maqedoni për përpjekjen për grusht shteti në Turqi nuk janë thjesht një përplasje ideologjike dhe fetare.
Ato ngrenë gjithashtu debate mbi praktikën e demokracisë, si edhe për disa tema specifike turke, siç është përplasja midis Gulenit dhe Erdoganit dhe historia e grushteve ushtarake në Turqi.
Gulen – Armik apo profet
Njësoj si në Stamboll, mbështetësit maqedonas të Erdoganit ishin shumë të zëshëm pas përpjekjes për grusht shteti.
Ata u mblodhën disa herë para Ambasadës Turke, duke xhiruar gomat e makinave në Shkup, duke festuar dështimin e grushtit të shtetit dhe shprehën “Merak” (gëzim) nëpërmjet grafitive në pazarin turk.
Disa ndërtesa dhe një dyqan suveniresh pranë xhamisë Murat Pasha, në zemër të pazarit të vjetër, janë zbukuruar me flamuj turq. Flamuri i kuq me hënën dhe yllin e bardhë është i njohur edhe në tregun e gjelbër në Bit Pazar, së bashku me flamurin amerikan dhe atë shqiptar.
Edhe para shtypjes së grushtit të shtetit, Erdogani e kishte akuzuar vazhdimisht Gulenin se thurte komplote kundër tij.
Ai e bëri këtë edhe pse të dy shihen si islamistë – dhe grushtet ushtarake të shtetit në Turqi historikisht janë lidhur me pasuesit e themeluesit laik të republikës turke, Kemal Ataturk.
Që prej përpjekjes për grusht shteti, Erdogan ka arrestuar ose shkarkuar nga puna me mijëra ushtarë, gjyqtarë, dekanë universitetesh dhe mësues. Mund të supozohet se arsyeja për spastrimin në arsim është frika ndaj faktit se qindra shkolla në Turqi mbeten fortesat e Gulenit.
Stigmatizimi i hapur i të ashtuquajturve Gulenistë është arsyeja më e mundshme pse, edhe në Maqedoni, mbështetësit e tij nuk ndihen komod të flasin në publik për situatën. Ata gjithashtu nuk duan të keqkuptohen si mbështetës të derdhjes së gjakut në Turqi.
“Guleni është shumë më pak i fuqishëm nga sa e portretizon Erdogani. Ndjekësit e tij në Turqi janë tërhequr nga skena publike dhe madje kanë frikë të flasin edhe në telefon. Problemi është Erdogani. Ai dëshiron të bëhet një sulltan i ri,” thotë një burim në kushte anonimati.
Kreu i OJQ-së turke në Maqedoni, Tahsin Ibrahim mendon të kundërtën.
“Ky njeri, Guleni, krijoi një formacion paralel shtetëror brenda Turqisë nën urdhrat e forcave të huaja. Kur ata “shtypin butonin” nga jashtë, ai krijon kaos në vend,” thotë Ibrahimi.
Lideri i sulmuar i Maqedonisë ‘i ngjan’ Erdoganit
Ata pranojnë se Erdogani është shumë më i njohur sesa Guleni ndër OJQ-të turke në Maqedoni, sepse ai i ka kushtuar më shumë vëmendje atyre dhe u ka bërë një nder të madh, në krahasim me liderët e mëparshëm në Ankara.
“Ai erdhi në Maqedoni që para se të zgjidhej kryeministër dhe vizitoi Maqedoninë edhe dy herë të tjera pasi erdhi në pushtet. Ai preu shiritin kur hapëm qendrën tonë,” thotë Ibrahimi, duke shtuar se Erdogani gjithashtu ringjalli fuqinë ekonomike të Turqisë.
“Po ta vizitonit Stambollin ose Turqinë shtatë apo tetë vite më parë, më mirë të mos kishit shkuar faqe. Tani është një vend krejtësisht ndryshe, me shumë projekte të reja të mëdha,” thotë Ibrahimi.
Ai nuk është dakord me ata në Maqedoni që gjejnë ngjashmëri midis stilit të qeverisjes së Erdoganit në Turqi dhe atij të ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski.
Ai akuzohet gjithashtu për autoritarizëm dhe korrupsion në shkallë të gjerë dhe gjithashtu pohon se fuqi të huaja të papërcaktuara po përdorin opozitën për të shkatërruar vendin e tij.
“Ndoshta Gruevski ka bërë disa lëvizje të ngjashme me Erdoganin, por jo anasjelltas,” bën shaka Ibrahimi.
Nga ana tjetër, turqit e Maqedonisë që janë më kritikë ndaj Erdoganit thonë se ai shpenzon shumë kohë për propagandë dhe për paraqitjen në media të një pamjeje të një Turqie jashtëzakonisht të suksesshme.
Ata thonë se pretendimi i Erdoganit se në Turqi ka liri, sepse disa media atje e sulmojnë ashpër atë, nuk qëndron aspak. Ata kujtojnë se televizionet dhe gazetat me më shumë ndikim janë ende nën kontrollin e tij dhe se shumë gazetarë në Turqi janë pas hekurave ose rrezikojnë të dënohen me burg.
Opinione kundërshtuese në lidhje me faktin nëse Erdogani e sajoi grushtin e shtetit për të shtypur rivalët e tij reflektohen edhe në komunitetin turk në Maqedoni.
Opinionet variojnë nga ata që shprehin mosbesim të plotë në këtë ide e deri tek ata që dyshojnë për një sajim dhe që theksojnë se asnjë lider i grushtit të shtetit nuk u shfaq duke protestuar midis publikut.
Por pavarësisht se sa përpjekja për grusht shteti dhe spastrimet që e pasuan atë e nxehën shumë situatën në Turqi, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për marrëdhëniet brenda komunitetit turk në Maqedoni.
Edhe pse ndryshe nga disa bashkëpatriotë të tyre, bashkëbiseduesit tanë thonë se ata ende nuk e kanë të vështirë t’i thonë një “Merhaba” (Përshëndetje) moderne njëri-tjetrit kur takohen në rrugë.
Nuk i shpëton dot përshtypjes së në dekadën e kaluar, simpatizantët maqedonas të Erdoganit kanë zhvilluar diçka që mund të përshkruhet si një ndjenjë osmane, një ndjenjë se Turqia mund të bëhet përsëri një fuqi botërore, sfiduese e SHBA-së dhe Rusi, dhe se Erdogani është personifikimi i saktë i asaj fuqie.
/Reporter.al/