Në seancën e fundit për këtë sezon, Parlamenti miratoi dy projektligje të rëndësishme për sektorin minerar në Shqipëri që kanë të bëjnë me shtyrjen e afatit të koncesionit të minierës së Bulqizës; Fabrikës së Pasurimit Bulqizë, Impiantit të Seleksionimit Klos; Uzinës së Ferrokromit Burrel dhe Uzinës së Ferrokromit në Elbasan.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se deri në vitin 2013, për shkak të mungesës së monitorimit nga qeverisja e kaluar, këto marrëveshje koncesionare mund të cilësoheshin të dështuara për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve për planin e investimeve.
Miniera e Bulqizës kishte humbur sipas tij perspektivën duke rrezikuar të mbyllej, ndërsa puna për hapjen e Traverbankut të Klosit dhe Pusit të thellësisë nuk kishte filluar. “Uzina e Ferrokromit në Burrel ishte në konservim dhe as këtu nuk ishte investuar për t’u vënë në punë.
Uzina e Ferrokromit në Elbasan punonte me kapacitet të reduktuar, me një furrë me eficiencë të ulët. Investimet u gjetën në fazën e tyre fillestare të inicimit nga koncesionari i ri”, theksoi Gjiknuri.
Ai sqaroi se qeveria e re ndërmori një kontroll dhe monitorim intensiv të të gjithë sektorit minerar përfshirë e në veçanti edhe marrëveshjet koncesionare në shfrytëzimin e mineralit të kromit.
“Përmes edhe disa masave pezulluese për një periudhë të caktuar, qeveria detyroi koncesionarin që të fillonte zbatimin intensiv të programit të investimeve. Në 2 vjet e gjysmë u realizuan investime në vlerë 10,6 milionë USD, aq sa koncesionari i mëparshëm kishte investuar në 12 vjet. Kjo bëri natyrisht që objektet koncesionare të rikthehen në eficiencë të plotë por edhe t’u kthehet përspektiva thuajse e humbur plotësisht. Aktualisht kemi të bëjmë me një koncesion që punëson mbi 1000 persona dhe operon me kapacitet të plotë në sektorin minerar shqiptar, pavarësisht luhatjes së fortë në përkeqësim të çmimeve të mineraleve në tregjet ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj situate të pafavorshme, prodhimi i mineralit të kromit në Bulqizë u rrit ndjeshëm. Nëse në vitin 2013 prodhoheshin 268 120 ton krom, në fund të vitit 2015 prodhimi në Bulqizë arriti në 424 486 ton.”, nënvizoi Gjiknuri.
Në përputhje edhe me objektivin e programit të qeverisë për zhvillimin e industrisë përpunuese dhe për krijimin e ciklit të plotë brenda vendit është bërë e mundur që të rritet ndjeshëm prodhimi i ferrokromit.
“Vënia në shfrytëzim e fabrikës së ferrokromit Burrel dhe përpunimi i skorjeve të ferrokromit në Elbasan çoi prodhimin e ferrokromit në Shqipëri për vitin 2015 në 43 669 ton. Mjafton të kujtojmë se në vitin 2013 niveli i prodhimit të ferrokromit në vend ishte vetëm 24 018 ton. Ky përmirësim në prodhimin e kromit dhe ferrokromit u bë i mundur vetëm në sajë të masave dhe kontrolleve të ushtruara nga ana e institucioneve përgjegjëse shtetërore”, u shpreh Gjiknuri.