Data 10 gusht është dita kur Kushtetuta e re merr fuqi ligjore. Pas dekretimit nga kreu i shtetit një ditë më parë, 47 nenet e ndryshuara të Kushtetutës, sëbashku me anekset, janë botuar në Fletoren Zyrtare duke kaluar kështu në filtrin e fundit para hyrjes në fuqi.
Por edhe pse tashmë i ka kaluar të gjitha hallkat ligjore e do të hyjë në fuqi për pak ditë, zbatueshmëria e Kushtetutës së re varet nga nismat ligjore që presin votën e Kuvendit. Këto nisma lidhen me ristrukturimin e institucioneve të drejtësisë, krijimin e institucioneve të reja, me statusin e ri të gjyqtarëve e prokurorëve dhe me procesin e rivlerësimit të tyre, që parashikohet në aneksin që i bashkangjitet paketës kushtetutese të miratuar më 140 vota.
Veç miratimit të nismave ligjore, një çështje tjetër që duhet të marrë zgjidhje është edhe planifikimi buxhetor i Reformës në Drejtësi.
Edhe pse mungon një faturë financiare për barrën e re që krijon për buxhetin e shtetit ndryshimi i masës së trajtimit financiar të prokurorëve e gjyqtarëve si dhe krijimi i institucioneve të reja, në relacionet e nismave paralajmërohet vetëm se do të ketë nevojë për rritje fondesh në mënyrë që konkretizohen parashikimet e reja ligjore.