E premte, 22 Nëntor, 2024

FLASIN EKSPERTËT/ Çfarë do të ndodh pas Reformës në Drejtësi?

edi-rama-per-sorraPak ditë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Shqipëri, ekspertët e drejtësisë parashikojnë që përfaqësues nga kasta politike apo grupe të ndryshme të interesit do tentojnë të bëjnë rezistencë kundrejt reformës.
Nga Arben Muka*
Në një shfaqje të pazakontë për parlamentin e Shqipërisë deputetët u treguan solidarë në votimin e Reformës në Drejtësisë. Të 140 parlamentarët ishin pro. Selitë e partive politike ishin si në një garë me rezultat të ngushtë për shprehjen e optimizmit në miratimin me konsensus të paketës së ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugë reformimit të sistemit më problematik të vendit. Beteja për të marrë merita sa më shumë në hartimin dhe votimin e reformës tashmë ka nxjerrë në pah pikëpyetje të kuptueshme.
Nga do të fillohet? Kur do të ndjehen efektet e para për publikun? Kur do të nisë “krehja” e kastave të gjyqësorit, prokurorisë e hallkave të tjera në drejtësi? A do të jenë po kështu të bashkuar shtabet e politikës dhe në zbatimin e reformës? Pedagogu i fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Sokol Hazizaj, mendon se thelbi i reformës në drejtësi lidhet me tre dimensione. I pari ka të bëjë me vetëqeverisjen e sistemit, i dyti me përbërjen e tij, i treti me funksionimin ose arkitekturën e vet sistemit.
Sipas arsyetimit të Hazizajt, ndonëse përmirësimet kushtetuese nuk kanë të bëjnë me të drejtën materiale dhe procedurale, që do të thotë se nuk lidhet me sa dhe cilat janë rrugët më efektive të realizimit të së drejtës së qytetarit, efektet e përmirësimit cilësor dhe në kuadrin kushtetues dhe ligjor ekzistues do të shprehen në mënyrë të menjëhershme. “Dua të nënvizoj se ndoshta ndryshimet kushtetuese, në vështrim të parë duken si shumë represive. Sa i përket aneksit të saj, reforma do të mundësojë të realizojë tre momente: së pari, përmirësim të menjëhershëm të etikës në drejtësi; së dyti, të integritetit profesional të faktorëve dhe aktorëve në këtë sistem; së treti, përmirësim të shërbimit dhe raporteve të qytetarit me të drejtën dhe drejtësinë”, thotë Sokol Hazizaj për Deutsche Ëelle-n.
Profesori i Asociuar Shefqet Muçi, rektor i Shkollës së Lartë “Wisdon University” dhe ish ministër i Drejtësisë në Shqipëri, parashikon një rrugë të gjatë të reformës në drejtësi. Tani sapo janë miratuar ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që një paketë ligjore dhe aktesh të tjera do të duhet të hartohen, diskutohen dhe miratohen nga ana e parlamentit. Megjithatë, sipas tij, në planin afatshkurtër publiku do të provojë disa efekte nga kjo reformë, psh largimin nga sistemi të atyre që janë të korruptuar, të paaftë dhe që nuk i përgjigjen standardeve profesionale. Nga ana tjetër struktura e re antikorrupsion e prokurorisë, byroja e hetimeve pritet që të japë goditje në mesin e kastës politike dhe të administratës publike në të gjitha nivelet. Reforma ka disa sfida që mbeten për të provuar suksesin e saj, thotë ai për Deutsche Ëelle-n.
“Së pari, do të provohet zbatueshmëria e atyre që janë shkruar dhe do të shkruhen. Në fakt ligjet dhe aktet nënligjore në Shqipëri janë në përmbajtje sipas standardeve më të mira ndërkombëtare. Por ajo që e ka kompromentuar sistemin është moszbatimi i tyre. Së dyti, reforma ka një pengesë të madhe që do të vështirësojë punën. Struktura e organeve qendrore qeverisëse të drejtësisë në gjykata e prokurori është e rënduar, e mbivendosur, që dublohet, apo karakterizohet nga veprime paralele, pra, duke marrë energji dhe buxhete të mëdha dhe duke mos qenë efiçente për problemet që hasin qytetarët. Nuk do të evitohen zvarritjet e trajtimit të çështjeve.”
Ekspertit Shefqet Muçi sistemi që po ndërtohet i duket eksperimental. “Jemi në kushtet e një sistemi që nuk është hasur në vendet e tjera demokratike, ndaj dhe të krijohet përshtypja e kushteve eksperimentale. Dhe siç ndodh në një eksperiment, mund t’ja dalësh, por dhe mund të dështosh, ose të qëndrosh në vendnumëro.”
Ai përmend edhe një sfidë të katërt për reformën, e cila është të provuarit se sa realisht ajo mbështetet. “Këto ditë kemi parë në televizor vetëm portrete të gëzuara të figurave politike e publike. Të gjithë deputetët e votuan. Por unë kam bindjen që kjo është fasadë. Klasa politike, grupe të ndryshme të interesit do të bëjnë rezistencë të hapur ose të fshehur që reforma të mos zbatohet a të keqdrejtohet. Shumë prej tyre nuk e duan një sistem drejtësie të shëndetshëm dhe efiçent, pasi kredoja e tyre është korrupsioni dhe vjedhja, jeta dhe puna jashtëligjore. ‘Stërkëmbëshat’ për reformën nuk do të mungojnë, ndaj e quaj sfidë thelbësore këtë”.
Ndarja e së keqes nga e mira do të ndodhë në mënyrë të sigurtë
Në lidhje me presionin politik ndaj sistemit të drejtësisë pedagogu Sokol Hazizaj shpreh mendimin se fatkeqësisht do të vijojë, ndonëse ka ndryshime të mënyrës së zgjedhjes dhe vendimarrjes së KLGj, KLP e institucioneve të tjera të formatuara në Kushtetutë, të cilat e vështirësojnë dhe e çojnë në periferi mundësinë e politikës të ushtrojë dhunë si deri më tani. “Ndryshimet e fundit kushtetuese në këtë pikë do të ndihen në mënyrë të menjëhershme. Këto ndryshime, ndonëse në përmbajtje kanë tek tuk dhe elementë që vijnë në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, sa i përket kufizimit të së drejtës, ndarja e të keqes nga e mira do të ndodhë në mënyrë të sigurtë.”
Sipas Hazizaj nuk duhet harruar se jo gjithmonë kriterizimi i ngushtë apo i thelluar sjell rezultat të njëjtë me mundësinë e zgjerimit të pjesëmarrjes, që do të thotë se shpejt mund të krijohet një situatë kushtetuese dhe ligjore konfliktuale midis trupit të ngurtë të gjyqësorit me organet e tjera ligjzbatuese dhe vendimarrjes së Gjykatës Kushtetuese, ose ndryshe do të ndodhemi përpara një situate të vendimmarrjeve të shpejta të gjykatave. Këto vendime mund të mos i përgjigjen kapacitetet ligjzbatuese të ekzekutivit, shqetësime të cilat do reflektohen në konflikte kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese, vendimet e së cilës do të jenë si në numër dhe me pasoja me permasa të shumta dhe të medha.”
Me shpejtësi dhe ngut gjërat bëhen jo afatgjatë
Për ish ministrin e Drejtësisë, Shefqet Muçi, reformës po i jepet dhe një nuancë “shtatanike”, sipas tij, gjërat po tentohen të shpejtohen, pa u kolauduar dhe pjekur, e aq më tepër pa u diskutuar gjerësisht me grupet e interesit. “Shikoni këto 7 ligjet që kanë futur në agjendë për miratim. Ka një nxitim të pashpjeguar, duke mënjanuar nga procesi i diskutimit përfaqësuesist e gjykatave e prokurorive. Me shpejtësi dhe ngut gjërat bëhen jo afatgjatë. Duhet që shoqëria shqiptare, apo sistemi i drejtësisë duhet t’i përthithin me ngadalë për të arritur të bëhen procese të qëndrueshme dhe të besueshme. Çdo gjë kërkon kohë të nevojshme. Kur them këtë nuk kam parasysh zvarritje dhe humbje kohe, por hapa të matur dhe të studiuar.”/Dw
 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit