E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Pagesa për Rrugën e kombit, PD: do ta anulojmë, shkelën kriteret e tenderit

Ina-Zhupa-31-korrik-2016Partia Demokratike ka denoncuar edhe sot tenderin për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit. Në një deklaratë nga selia blu, zëdhënësja Ina Zhupa u shpreh se vazhdon të thellohet skandali i taksës 10 euro për këtë rrugë.
Gjatë fjalës së saj, Zhupa theksoi faktin se qeverisja e PD-së do ta anullojë këtë tender abuziv, ndërsa mbështet deklarata e biznesit dhe pushtetit lokal që është kundër këtij koncesioni.
Deklarata e plotë e Ina Zhupës:
Thellohet skandali me taksën 10 euro që Edi Rama ka vendosur mbi kurrizin e shqiptarëve për një kalim në Rrugën e Kombit.
Përveçse një barrë e re mbi qytetarët e xhepat e tyre të lodhur e të varfëruar, fakte të reja tregojnë se kemi të bëjmë me një aferë të pastër korruptive.
Qeveria ka shkelur kriterin ligjor në tender, kriter që vetë e kishte vendosur, ku u përcaktua se firma më e favorizuar në garë do te ishte ajo që do kërkonte me pak fond rimbursimi nga qeveria.
Ndërkohë, Edi Rama shpalli fituese kompaninë turke, edhe pse ka kërkuar 600 mijë euro më shumë fond rimbursimi se sa operatori tjetër në këtë garë.
Taksa e re 10 euroshe e Edi Ramës ndaj shqiptarëve jo vetëm është e padrejtë por është vendosur mbi një aferë ku është shkelur haptazi konkurrenca dhe ligji.
Qytetarët janë me të drejtë të revoltuar nga taksa Rama për Rrugën e Kombit. Partia Demokratike përkrah qëndrimin e qytetarëve dhe ne i sigurojmë shqiptarët se do ta anulojmë këtë koncesion sapo të marrim përgjegjësinë e drejtimit të vendit.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit