E premte, 22 Nëntor, 2024

INVESTIGIM/ RRUGA E ARBËRIT “KRONOLOGJIA” E NJË GËNJESHTRE ELEKTORALE

RrA.-12-620x420INVESTIGIM – Nga Sami Curri (Ishull.com)
Prej 25 vitesh banorët e Dibrës kanë pritur ndërtimin e Rrugës së Arbërit e cila shkurton ndjeshëm distancën me kryeqytetin, por edhe pse projekti i kësaj rruge ka nisur prej vitesh, puna është ndërprerë. Është rruga që do ti jepte një prespektivë të re zhvillimi një krahine të tërë si Dibra, por edhe shumë më tej deri në Shkup e treva të tjera në Maqedoni që do të afroheshin ndjeshëm me kryeqytetin e Shqipërisë. Rruga e Arbërit ka nisur me bujë dhe deklarata të mëdha politike që më pas ia lanë vendin paqartësisë dhe problemeve të tjera që penguan në mënyrë të vazhdueshme përfundimin e saj.
Duke filluar nga qeveria “Nano” e duke vazhduar tek ajo Berisha dhe Rama, Rrugën e Arbërit e kanë përdorur si karrem elektoral për të peshkuar votat e një zone në betejat elektorale. Por që dy të parët, Nano dhe Berisha, nuk arritën kurrë që të prisnin shiritin e një rruge që e kishin premtuar me bujë, por që ngelën vetëm në inagurimin e disa segmenteve të papërfillshme të Rrugës së Arbërit.
Në vitin 2005 qeveria e djathtë që e drejtoi vendin për tetë vite premtoi se Rruga e Arbërit do të përfundoj brenda mandatit të parë qeverisës, por që në fakt nuk e arriti as në mandatin e dytë. Të njëjtin premtim bëri edhe koalicioni i majtë që sot drejton vendin, por që në fakt, edhe pse po shkon drejt përfundimit të mandatit të parë, Rruga e Arbërit ka ngelur një premtim i bukur elektoral.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, Kryeministri Rama në vizitën e tij në tunelin e Qaf Buallit premtoi se Rruga e Arbërit ishte prioritet i kësaj qeverie, ku bashkë me ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, deklaruan se për dy muaj nis faza e dytë e këtij projekti. Por që në fakt, kjo rezultoi një gënjeshtër elektorale, pasi deri më sot nuk ka asnjë makineri apo punëtorë që po punojnë për ndërtimin e Rrugës së Arbërit.
 
perfundon-tuneli-i-qafe-buallit-2
Në vëzhgimet e ishull.com, nga Qershori i vitit 2015 dhe deri më sot, nuk ka asnjë lëvizje dhe asgjë nuk ka avancuar në ndërtimin e Rrugës së Arbërit.
Rruga e Arbrit pritej të përfundonte brenda 3 vitesh, ndërsa ndërtimi i saj i ishte besuar me një procedurë të posaçme një kompanie shtetërore kineze “China State Construction Company”. Lajmi u komunikua nga Ministria e Financave dhe ajo e Transporteve, në Komisionin parlamentar të Ligjeve dhe atë të Ekonomisë në vitin 2015. Projekti, që  ngjalli shumë debate, është zbardhur nga Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto.
Irena Beqiraj, zv/ministre e Financave, kur fliste për kontratën e pashkruar ende me kompaninë kineze tha se “Kjo kontratë koncesionare lidhet me një nga kompanitë shtetërore ndërtimore kineze, e cila do ta financojë tërësisht 3 vitet e para ndërtimin e rrugës, dhe i vetmi ndikim që do të ketë në buxhet është se qeveria shqiptare pas ndërtimit, pas 3 viteve ndoshta do të vendosë një fond garancie që mendohet nga llogaritjet tona, aty te 26 milionë lekë në buxhet, nëse këto nuk mblidhen nga kompania, nga përdorimi i rrugës”.
Deklarat e kryeministrit Edi Rama nga Kina pak muaj më parë që konfirmoi  se është finalizuar marrëveshja për rrugën e Arbrit, solli që në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ministri i linjës Edmon Haxhinasto të deklaronte se ka ende një sërë pikpyetjesh dhe po diskutohet për të dalë në një përfundim.
Por nga të gjitha këto deklarata, për kompaninë kineze “China State Construction Company” që pritej të merrte ndërtimin e Rrugës së Arbërit, kjo rrugë nuk ka avancuar aspak. Nga vëzhgimet e ishull.com, në një nga segmentet e Rrugës së Arbërit dhe saktësisht në tunelin e Qafës së Buallit që i është prerë disa herë shiriti, rezulton se: Hyrja e tunelit është zënë me gurë, të cilët kanë rënë nga mungesa e shkallëzimit të atij segmenti. Nuk ka prani të punëtorëve apo makinerive, përpos disa relikeve të vjetra që kanë ngelur që para disa vitesh dhe dy-tre punëtorëve që merren me ruajtjen e një kantieri pune, pa punëtorë.
Ishull.com ju drejtua Autoritetit Rrugor Shqiptar, por edhe Ministrisë së Transporteve, për të marrë më shumë informacion mbi projektin e Rrugës së Arbërit. Autoriteti Rrugor Shqiptar ju përgjigj kërkesës sonë për informim, duke na bërë me dije se segmentet që kanë ngelur pa përfunduar nga Rruga e Arbërit janë:
 

Segmenti i parë me gjatësi 5.42 km, i përfunduar, por pa shtresë asfaltike. Dy segmentet në shtrirjen 32.3 km dhe 62.5 km segmente të pa përfunduara nga të cilat 13.18 km pa shtresa asfaltike. Edhe pse ishull.com në kërkesën e saj për informim pranë ARRSH-s theksin kryesor e vuri tek segmentet e papërfunduara, në përgjigjen e saj ndaj ishull.com që mban datën 13. 06. 2016 tregon më shumë mbi lotet e përfunduara, por pa shtresë asfalti.
Rruga-e-Arberit
Do të nisin punimet për Rrugën e Arbërit në vitin 2016?
Përgjigjia është jo. Sipas ARRSH-së, deri më tani, këto objekte nuk janë planifikuar në buxhetin e vitit 2016.
Pra, përpos zhurmës mediatike të politikës, është zyrtare që ky objekt infrastrukturor, për vitin 2016 nuk pritet të ketë punime.
Për të gjitha segmentet e Rrugës së Arbërit, ARRSH në shkresën e saj bën me dije se janë kryer të gjitha studimet, saktësisht: Unaza e Tiranës – Bulqizë me gjatësi 62.5 km, hartuar nga Shoqëria Projektuese “SDC” me shtrirjen Ura e Brarit – Hyrja e Tunelit Qafë Murrizë (0.00km – 19.3km) dhe hartuar nga Shoqëria Projektuese “AF-ITP” me shtrirjen “Hyrja e Tunelit Qafë Murrizë – Ura e Çerenecit” (19.3 km – 62.5 km).
Segmentet e skajshme (Unaza e Tiranës – Ura e Brarit me gjatësi 2 km) dhe (Ura e Çerenecit – Dogana Bllatë me gjatësi 6 km) nuk kanë projekt ide dhe projekt zbatim.
Sipas ARRSH për të realizuar të gjitha punimet e Rrugës së Arbërit, kosto e pritshme ndërtimore është vlersuar në 27, 875, 221, 155 lekë. Por fakti që deri më tani nuk janë kryer punime në segmentet e pa përfunduara, sipas ARRSH-së, janë mungesa e fondeve.
Zgjedhjet po afrojnë dhe me shumë gjasa, dibranët do të dëgjojnë sërish të njëjtin premtim që e kanë dëgjuar për më shumë se 25 vite “…do të ndërtojmë rrugën e Arbërit”.
FOTO GALERI – Nga segmenti i Qafës së Buallit në Bulqizë

Artikuj te ngjashem

Me te fundit