Policia e Shkodrës ka bërë publike detaje mbi ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin verior, mbi shpërthimin me lëndë plasëse në banesën e shtetasit H.L në fshatin Pentar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 ku nuk pati dëmtime në njerëz, por vetëm dëme materiale. Policia thotë se ka arrestuar për këtë ngjarje 4 persona dhe ka shpallur në kërkim një të pestë.
Në pranga janë vënë Vinçens Doçi, 30 vjeç, Rajmond Kalavaçi, 30 vjeç, Anton Gjuraj, 29 vjeç dhe David Doçi, 32 vjeç të gjithë banues në Pentar të Shkodrës.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit E.D, 28 vjeç, banues në këtë fshat. Janë kryer kontrolle në 7 banesa të ndryshme ku u gjet dhe u sekuestrua 334.2 kg, lëndë narkotike të llojit cannabis sattiva e vendosur në 17 fuçi plastike e gatshme për tregtim, 2 armë gjahu, nga këto 1 pa leje, një automatik model 56, 1 automjet autoveture e tipit BMË, me targë DJ 707 VE, dhe 2 aparate celulare, shkruan Lapsi.al
Po në vijim të hetimeve të lartpërmendura nga strukturat policore së Shkodrës është ushtruar kontroll ne zonën Mushan, të Njësisë Administrative Dajç- Shkodër ku në mbështetje të të dhënave hetimore është konstatuar një parcele me 3000 bimë narkotike cannabis sattiva dhe rezultoi se ishte kultivuar nga personat e lartpërmendur.
Vijojnë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë hetim.
/tvbulqiza.al