Në një kohë kur ka përfunduar afati i aplikimit për në shkollat e larta të maturantëve të qarkut të Tiranës dhe vijojnë qarqet e tjera, në Universitetin e Tiranës janë në pritje të dhënave nga AKP deri në datën 30 gusht. Pas kësaj date, në sekretaritë e fakulteteve do të bëhet rankimi i fituesve sipas kritereve të përcaktuara.
“Kriteri i parë që përbën peshën prej 50% të pikëve të vlerësimit është mesatarja aritmetike e përgjithshme e studimeve të tre viteve, plus edhe të provimeve të maturës. Grupi i dytë është mesatarja e grup lëndëve që i kemi kategorizuar ne me vendim Senati, të cilët përkon me orientimin që ka interes studenti për programin që përzgjedh”, tha rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Profesor Koni shpjegon se këtë vit në Universitetin e Tiranës ka një rritje me 10% të pranimeve, duke e çuar në 5370 numrin e studentëve të rinj. Shpallja e fituesve do të bëhet nga universitetet deri në datën 10 shtator. Por nëse nuk përmbushen kuotat e pranimit do të ketë edhe një raund tjetër aplikimi .
“Në raundin e dytë mund të aplikojnë të gjithë, edhe ata studentë të cilët kanë fituar një degë që nuk u pëlqen në raundin e parë, por duhet të mos regjistrohen aty dhe të aplikojnë në raundin e dytë”, vijoi Koni.
Pas shpalljes së fituesve, kandidatët duhet të regjistrohen online si dhe te paraqiten fizikisht me dokumentacionin përkatës pranë sekretarive të universiteteve, shkruan Top-channel.
Sipas profesor Konit, tarifa e studimit në Universitetin e Tiranës për vitin akademik 2016 -2017 nuk do të ndryshojë. Ajo varion nga 25 mijë deri 30 mijë lekë.
/ tvbulqiza.al