Festivali “Verë në Epidamn” ka nisur edicionin e parë të tij mbrëmjen e së enjtes. Një shfaqje kulturore, e cila do të sjellë në Amfiteatrin e Durrësit pjesë teatrale dhe gjini të tjera të artit, jashtë dyerve klasike të teatrit.
Për ideatoren e kësaj nisme, kjo shfaqje vjen si një mundësi për të gjallëruar sezonin turistik.
“Festivali ‘Verë në Epidamn’ është një festival që e përfshin të gjitha artet. Jemi përpjekur që Durrësi të ketë një axhendë teatrore, por jo vetëm, të mbushur me aktivitete pikërisht në një nga vendet e tij më të bukura. Në një nga pasuritë jo vetëm të Durrësit, por do të thoja të të gjithë Shqipërisë, siç është pikërisht ky amfiteatër. Vjen edhe si një mundësi për ta sjellë teatrin jashtë dyerve të tij, ku ne jemi mësuar ta shohim gjithmonë, për t’i bërë bashkë lashtësinë, natyrën dhe artin”, tha për Top-channel Driada Dervishi, regjisore.
Arena e gladiatorëve mirëpriti në çeljen e festivalit, trupën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, me shfaqjen “Doktor Shuster”.
“Jemi të parët që çelim ‘Verë në Epidamn’, këtë festival kaq të rëndësishëm artistik dhe teatror. Përshtypjet tona janë të mrekullueshme për mënyrën sesi është organizuar, për këtë amfiteatër që është fantastik dhe me kaq shumë vlera të rëndësishme për ne. Është një dekor shumë i bukur për shfaqjen tonë”, tha Zamira Kita, drejtore e Teatrit të Korçës.
Mbrëmjet e gushtit do të freskojnë publikun vendas, por edhe turistët, përmes shfaqjeve teatrale, muzikës dhe ekspozitave, deri në datën 20, në festivalin “Verë në Epidamn”.
/tvbulqiza.al