Dermatoza nodulare ka vënë në alarm fermerët në Njësinë Administrative Shupenzë, në bashkinë Bulqizë. Deri më tani në 3 fshatra të kësaj njësie administrative, si Boçevë, Vlashe dhe Kovashicë, sëmundja është shfaqur dukshëm, duke vënë në alarm fermerët privatë, të cilët në një situatë të tillë ndjehen të pambrojtur.
Kështu në fshatin Boçevë në dy raste si pasojë e kësaj sëmundje kanë ngordhur deri më tani dy lopë dhe sëmudja po avancon të përhapet me shpejtësi. Deri më tani sipas banorëve janë dhjetra familje të këtij fshati të prekura, por rastet në fshatin tonë thonë ata, sa vijnë e shtohen përditë.
Livadhet e fushat kanë ngelur të boshatisura pasi prej një jave banorët kanë ndaluar nxjerrjen në kullotë të lopëve dhe viçave, për t’I ruajtur ata nga infektimi me këtë sëmundje. Deri më tani janë shënuar dhjetra raste të prekjes së lopëve me këtë sëmundje, por fshati jonë ka rreth 500 krerë lopë, që rrezikojnë të infektohen, pasi mungojnë vaksinat dhe veterinerët janë dorëzuar pasi nuk ka asnjë lloj mjekimi që mund t’u ofrojnë banorëve, thotë kryetari I fshatit Asllan Llani.
Gjithsesi situata e prekjes së gjedheve me dermatozën nodulare bëhet tejet alarmante dhe e frikëshme po të kemi parasysh se shenja të prekjes së gjedheve kemi jo vetëm në Njësinë Administrative Shupenzë, por edhe në njësitë e tjera të bashkisë Bulqizë.