Java që vjen do të ndërpresë për disa ditë stinën e nxehtë të verës, pasi do të sjellë largimin e të nxehtit afrikan dhe uljen e temperatuarave shoqëruar me reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit të vendit. “Parashikohet që reshjet të jenë me intensitet më të lartë kryesisht në zonat e Veriut, ku do të ketë edhe shkarkesa elektrike.
Kjo situatë, nga nesër do të shoqërohet edhe me rënie të temperaturave me 34 gradë. Në zonat malore nesër, temperaturat nuk do të kalojnë 25 gradët”, thotë Rezarta Xhakollari, meteorologe e Top Channel. Temperaturat e ulëta dhe shirat parashikohen të zgjasin deri ditën e mërkurë, kur do të ketë një përmirësim të motit.
“Territori i Shqipërisë dhe Ballkani do të përjetojnë temperatura të ulta, që nuk i përkasin muajit të gushtit”, shton Xhakollari. Sipas meteorologëve, moti i mirë, por jo i nxehtë si këto ditë kur termometri shënoi temperatura tejet të larta, do të na shoqërojë ditëve në vijim.