Një autobus që po transportonte gazetarë në Rio de Janeiro, të pranishëm enkas për Lojërat Olimpike, ka rënë prè e sulmit me armë në një autostradë mes zonave të fshatit olimpik, gjatë së martës. Dëshmitarë të shumtë kanë raportuar ngjarjen, ndërkohë që asnjë prej pasagjerëve nuk rezulton të jetë plagosur seriozisht gjatë këtij incidenti, transmeton TCH.
Autobusi ishte duke udhëtuar nga ambientet e Olimpiadës ku zhvilloheshin ndeshjet e basketbollit, drejt Parkut kryesor Olimpik, kur – sipas pasagjerëve, – dy të shtëna u dëgjuan dhe prekën automjetin. Xhama të thyera dhe grimcimi i tyre la të gërvishtur dy prej gazetarëve.
“Ne u qëlluam. Dua të theksoj se kjo ngjarje duhet raportuar si e shtënë me armë”, thotë Sherryl “Lee” Michaelson, një kapiten në pension i Forcave Ajrore amerikane, i cili punon tashmë për një media sportive në Rio ku mbulon basketbollin.
Një zëdhënësi i Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike të Rios, Mario Andrada, tha se hetues mjekoligjorë janë përpjekur të përcaktojnë nëse vrimat e krijuara në xhamat e autobusit ishin prej plumbave apo prej gurëve.
“Ende nuk kemi mundur të konfirmojmë se çfarë lloj mjeti është përdorur për të goditur autobusin”, tha ai, duke shtuar se incidenti ndodhi në zonën Curicaca, vetëm pak kilometra në veri të Parkut Olimpik. “Nuk duam të spekulojmë, ndaj dhe po presim hetimet”.
Një fotograf i “Reuters”-it ka kapur momentet e para të incidentit, teksa tregon edhe një vrimë të vogël me gjerësinë e një gishti, në njërin prej xhamave të autobusit.