E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Haxhi Vehbi Dibra – Figura e madhe politike dhe dijetari kolos i Islamit

Fq.-11-te-shkrimi-i-dyte-Vehbi_Dibra__1867–1937
Haxhi Vehbi Dibra lindi në Dibër të Madhe më 12.03.1867, në një familje të nderuar, në familjen e Agollëve, të njohur për veprimtari fetare dhe atdhetare. Ishte djali i Ahmed Efendi Agollit, hoxhë i respektuar, Myfti i Dibrës së Madhe. Arsimin fillor dhe atë të mesëm i kreu në Dibër, ndërsa arsimin e lartë në Stamboll, ku përveç studimeve fetare merrej edhe me veprimtari atdhetare-kombëtare. Ai zotëronte mjaft mirë gjuhën arabishte dhe atë osmanishte.
Përveçse një interpretues me vlera të mëdha brenda vendit dhe në rajon, Haxhi Vehbi Dibra siç theksohet edhe në një punim me vlera historike të realizuar nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë, theksohet  kontributi dhe veprimtaria që dijetari Dibra ka dhënë në çështjet me rëndësi kombëtare.
-Në vitin 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ndërsa në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku u zgjodh edhe kryetar i këtij Kongresi. Figura politike e dijetarit të madh do të arrinte kulmin në vitin 1912, ku në qeverinë e parë legjitime që u instalua në Shqipëri, Haxhi Vehbi Dibra do të zgjidhej Kryetar i Pleqësisë si dhe nënkryetar i Qeverisë.
Kur Ismail Qemali mungonte për ndonjë arsye, ishte Haxhi Vehbi Dibra që e zëvendësonte. Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë e ngarkon Haxhi Vehbi Dibrën me detyrën e rëndësishme, atë të Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Musliman Shqiptar.
Po në vitin 1916 në vlerësim të figurës së madhe fetare, dijetari i madh Islam ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Gjyqit të Naltë të Sheriatit. Shtatë vite më vonë në vitin 1923, Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë Musliman Shqiptarë, detyrë të cilën do ta vazhdonte deri në vitin 1929. Gjatë kësaj kohe Komuniteti Musliman mori ngjyrë kombëtare dhe zgjidhi shumë probleme.
Nën drejtimin e Haxhi Vehbi Dibrës Insitucioni i Komunitetit Musliman arriti të sistemonte të gjitha pronat e vakëfeve me dokumentacionin përkatës, në çdo qytet të Shqipërisë ku gjendeshin prona të Komunitetit Musliman.
Nga ana e tij Haxhi Vehbi Dibra e çmonte shumë rendin, mungesa e të cilit – thoshte ai – sjell anarkinë dhe situata të papëlqyera të cilat vetëm sa do të sillnin kaos dhe regres për Shqipërinë.
Vlen të theksohet fakti se pas vitit 1925 Vehbi Dibra, i përkushtohet tërësisht punëve dhe ecurisë së Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe pothuajse u shkëput nga veprimtari e drejtëpërdrejtë politike, sado që deri në frymën e fundit ai pati për moto të tij binomin: Fe-Atdhe. Për të vërtetuar idealin e punës së dijetarit të madh Dibra që unifikonte fenë dhe atdheun, mjafton të sjellim këtu në vëmendje një shkresë ( qarkore ) të vitit 1920 që u drejtohej zyrave të myftinive në rrethe, ku ndër të tjera theksohej: “Tash e tutje të mos përdoren vulat dhe aktet zyrtare në turqisht, por të mbaroni sa më parë një vulë me shqiponjë, duke futur kështu në insitucionet fetare simbolin e flamurit tonë kombëtarë.
-Si mendimtar dhe bartës i vizionit të Islamit ndër shqiptarët, Haxhi Vehbiu kuptoi qartë vështirësitë dhe problemet para të cilave gjendej Komuniteti Musliman Shqiptar që ai drejtonte. Ai kuptoi se “Islami” në Shqipëri duhej t’i hynte një rruge të re, për të vazhduar misionin dhe rolin e tij mirëbërës e civilizues  në ndërtimin e së ardhmes së përbashkët të Atdheut.
Ai  theksonte: “Injorancën nuk mund ta justifikojmë me pleqërinë tonë, as me mungesën e shkollave në atdheun tonë…pse jemi urdhnue për të studiue deri kur të vdesim, jemi urdhnue me udhtue deri në vendet më të largëta për të studiue”. Sipas Vehbi Dibrës, trashëgimia Islame e mbetur prej të parëve duhej të bëhej e vazhdueshme në mënyrë që të barazohej me arritjet moderne.
Sa herë që fatet e Shqipërisë ishin në rrezik, dijetari islam, frymëzohej nga porosia e Muhamedit (a.s): “Dashuria për atdheun është pjesë e besimit”.

Nga Edison BALLA / Gazeta Bulqiza

Artikuj te ngjashem

Me te fundit