E shtunë, 23 Nëntor, 2024

PD, Paloka prezanton Sherefedin Shehun në Dibër: Kandidimi, detyrimi im ndaj dibranëve

sherefedin-shehu-diberSherefedin Shehu, kandidati i Partisë Demokratike për kryebashkiak të Dibrës, është mirëpritur si kandidatura më e mirë dhe përfaqësuese për qytetarinë dibrane.  Ndërsa ka përshkruar rrugën në këmbë për të mbërritur në sallën ku do të zhvillohej prezantimi i tij para strukturave të PD, Sherefedin Shehu është takuar me mjaft qytetarë dhe të rinj dibranë. Ai ka marrë mbështetje për fitore të padiskutuar dhe mirënjohjen për vendimin e tij, për të lënë mandatin e deputetit e për t’u shërbyer bashkëqytetarëve të tij. Ata shprehën bindjen se Sherefedin Shehu do t’i rikthejë dinjitetin dibranëve i cili u dëmtua rëndë nga ish kryebashkiaku socialist, Shukri Xhelili.
Më pas, nënkryetarët e Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Edmond Spaho,  kanë prezantuar para strukturave drejtuese të PD, Shefrefedin Shehu si kandidatin për kryetar bashkie.  Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryetari i FRPD, Belind Kelliçi, drejtuesit e departamenteve, Kreshnik Çollaku dhe Arben Skënderi.
Drejtuesi i  shtabit të fushatës së kandidatit Shehu, nënkryetar i PD,  Edi Paloka tha se “Ne kishim menduar që këtë takim të parë ta kishim me strukturat por më vjen mirë që entuziazmi dhe prania juaj tregon jo vetëm mbështetje por edhe sigurinë e plotë në fitore. Dibra është Dibra e njerëzve të mençur, intelektualë, njerëzve që në radhë të parë kanë moralin dhe mençurinë për të ecur në rrugën e vërtetë të duhur dhe jo në rrugën e “duhur” ku donte të na çonte Rama,  sepse e pamë të gjithë se si dolëm. Sepse këdo që të kandidojnë ata tani, çfarëdo që duan të ndryshojnë, çdo kandidat që do të ketë rilindja këtu, do të jetë vetëm Shukriu numër 2. Ajo është kthyer në partin e shukrinjve sepse socialistët e ndershëm janë larguar dhe lenë në harresë nga partia e tyre . Ai që doli këtu është vetëm njëri por Shukriu i madh është ai në Tiranë, Edi Rama.
Në fakt, shkaku i vërtetë dhe i vetëm i humbjes tonë në zgjedhjet e fundit ishte përçarja e Partisë Demokratike. Unë shpresoj dhe besoj, jam i bindur që kjo periudhë që Dibra fatkeqësisht u drejtua nga shukrinjtë që nuk përfaqësojnë Dibrën, ka mjaftuar për të bërë të qartë jo vetëm për ju por këdo, se nëse ne lejojmë që Dibra të rrëmbehet nga Shukriu si Edi Rama, ne do kemi përgjegjësi të madhe para qytetarëve të Dibrës por edhe para gjithë Shqipërisë.
Këto zgjedhje nuk janë vetëm për Dibrën. Këto zgjedhje i paraprijnë zgjedhjeve parlamentare ku ne të gjithë bashkë nga jugu në veri do ti tregojmë Edi Ramës dhe gjithë shukrinjve të tij se ku vend nuk mund të qeveriset më prej tyre. Nuk munden më dibranët dhe shqiptarët të pranojnë dhunën, arrogancën e mostrave si Edi Rama apo të “Edi Ramave”që ai ka caktuar në të gjithë zonën.
Ne sot jemi këtu jo për të prezantuar Sherefedin Shehun se ju e njihni më mirë se ne. E keni deputet prej vitesh. Është biri juaj dhe është nga ata burra që nderon jo vetëm Dibrën, por nderon Partinë Demokratike. Është fat që sot dalim përpara dibranëve por edhe para gjithë shqiptarëve me një figure intelektuale si ajo e Sherefedin Shehut. Ai është figura tipike, simbol i dibranit, intelektual, i mençur, i zoti për të ndihmuar dhe  punuar për të gjithë qytetarët. Jam i bindur se me Sherefedinin ne do kthejmë kohët më të mira të PD-së, kohë kur jo vetëm Dibra por gjithë Shqipëria qeverisej për qytetarët e saj dhe jo për 5 kokrra siç ndodh sot me regjimin e Edi Ramës që e kanë mendjen vetëm si ta zhvasin këtë vend, të fitojnë për vete dhe asnjë ditë të mos mendojnë se çfarë do hanë nesër qytetarët e këtij vendi. Dibra dhe dibranët meritojnë shumë më tepër dhe vetëm të gjithë bashkë mund ta realizojmë këtë qëllim me Sherefedin Shehun si kryetar bashkie dhe me Partinë Demokratike ne qeverisjen e vendit. Siç e shihni, pala tjetër ngurron edhe të nxjerrë kandidat sepse është e qartë në çfarë pozitash ndodhen. Çdo njeri që do marrë përsipër të quhet Shukriu 2, në Dibër do ta ketë të vështirë të dalë edhe në rrugë. Prandaj po e zvarrisin dhe kërkuan të shtyjnë edhe zgjedhjet. Nuk i shpëton as shtyrja e zgjedhjeve, as shtyrja e shpalljes së kandidatit. Humbjen e kanë të vulosur sepse ua ka vulosur Shukriu i Dibres dhe Edi Rama”.
Kandidati për kryetar bashkie, Sherefedin Shehu e konsideroi vlerësim besimin që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i dha për të kandiduar për bashkinë e Dibrës, dhe nga ana tjetër detyrim ndaj qytetarëve dibranë për të kontribuar për zhvillimin e zonës dhe punësimin e banorëve të saj.
“Megjithëse kam marrë shumë mandate prej jush, tani vij nga një pozitë tjetër por në një moment të veçantë për Dibrën. Dhe pranimi i kandidimit që më bëri z Basha dhe kryesia e Partisë Demokratike, ishte vetëm detyrimi që unë ndjej ndaj jush dhe ndaj gjithë dibranëve. Lënien e mandatit të deputetit disa e konsiderojnë si një sakrificë por në fakt është vetëm shpërblim të një pjesë të asaj që ju keni bërë për mua. Kjo është edhe një përgjegjësi e madhe për mua sepse së pari Dibra është në ditë të keqe. Është në ditë të keqe prej qeverisë, është në ditë të keqe për ato që ndodhën këtu në Dibër. Sepse ndihen keq edhe ata që e votuan Shukriun por është edhe në ditë të keqe sepse Dibra është vendi më i pasur me burime natyrore por më i varfri ekonomikisht. Pra kjo është një arsye tjetër që unë e ndjeja përgjegjësinë që të vija e të kërkoja këtë mandat dhe tashmë jo tu përfaqësoj ju nga karrigja e Parlamentit por me projekte konkrete për ta zhvilluar Dibrën sepse dibranët janë njerëzit më punëtorë.
Dibranët nuk e presin bukën nga qielli por dibranëve u ka ngrënë hakun qeveria. I ka harruar qeveria. Ka edhe një arsye shumë madhore që unë e ka pranuar këtë kandidim. Kemi Rrugën e Arbrit e cila është shpëtimi i Shqipërisë. Natyrisht që nuk e bën kryetari i Bashkisë  Rrugën e Arbrit, por ne duke fituar bashkinë kemi hapur rrugën që vitin e ardhshëm z Basha ta kemi kryeministër. Ne jemi në një moment të vështirë me një qeverisje dhe një kryeministër arrogant, me qeveritarë që nuk dinë se çfarë bëjnë dhe të mos harrojmë që kjo qeveri tashmë është si bisha e plagosur. Ata do të përdorin të gjitha forcat e mjetet që të rimarin Dibrën por ne do tu tregojmë që Dibrën e kanë humbur Shqipërinë. E kanë e humbur sepse ata nuk kanë punuar asnjë ditë për këtë vend por vetëm për t’u pasuruar për veten e tyre. Kjo është një arsye tjetër që unë pranova që të vij këtu dhe bashkë me ju të rimarrim Dibrën”, tha Shehu.
Një mbështetje të madhe, Sherefedin Shehut i dhanë dhe të rinjtë dibranë, pasi tek ai si kryebashkiak sot, dhe bashkë me Lulzim Bashën si kryeministër nesër,  shohin shpresën dhe mundësinë për arsimim, punësim, mirëqënie dhe zhvillim.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit