Drejtori i Tatimeve të Dibrës, Dionis Ymeraj u shpall në media, si kandidatura për të cilën ishte marrë një vendim, ende jo zyrtar.
Vetë Ymeraj e nuk e mohoi se ka ambicie për postin që la bosh Shukri Xhelili.
“Besoj se është një post që çdokush do kishte ambicie ta kishte, por ky post do të ishte vetëm në shërbim të qytetarëve dibranë” tha dje kandidati i përfolur i Partisë Socialiste për Bashkinë e Dibrës në një intervistë për GSH.
Ashtu siç pritej LSI nuk ishte njësoj entuziaste. Duke folur për Neës 24, kryetari i Grupit Parlamentar, Petrit Vasili tha se nuk e njihte Dionis Ymerajn.
“Nuk e njoh sinqerisht. Në këtë pikë nuk jam familjar lidhur me emrin, me kandidaturën përkatëse, po di këtë gjë si një nga drejtuesit e LSI-së që do të ketë një konkurrim lokal”
Vasili e konsideron një fushatë të rëndomtë elektorale atë që po pritet të zhvillohet në Dibër.
“Nuk do të shkojë e gjitha PS-ja dhe LSI-ja në Dibër të bëjnë fushatë për këtë gjë sepse kanë objektiva, kanë për detyrë të punojnë dhe t’u përgjigjen detyrimeve të pushtet lokal në çdo cep të vendit. Atje sigurisht ka një rivalitet lokal në këtë moment, ato së bashku do të ndërtojnë edhe bashkëpunimin në terren ashtu si duhet, pra ajo gjë që bëhet rëndom në çdo fushatë elektorale” tha Vasili.
Posti i kryetarit të Bashkisë së Dibrës mbeti bosh pas skandalit seksual që provokoi Shukri Xhelili, ish kryebashkiaku i zgjedhur nga Partia Socialiste.
/tvbulqiza.al