Të paktën tre persona janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur pasi një motoskaf dhe një anije turistike u përplasën me njeri-tjetrin në ishullin Aegina. Lajmi u bë i ditur nga Roja Bregdetare e Greqisë për SkyNews, transmeton Syri.net.
Ndër viktimat e nxjerra nga uji është një fëmijë 2 vjeç, një burrë që mendohet se është babai i tij si dhe një person tjetër. Nga të dhënat në përditësim, një trup është gjendur në 20 m thellësi në zonën ku ndodhi aksidenti.
Një operacion kërkim-shpëtimi ka nisur dhe disa njerëz janë shpëtuar sipas Rojes Bregdetare.
Mendohet se 15-20 persona ndodheshin në anijen turistike, por nuk dihet sesa njerëz ishin në bordin e motoskafit, thanë zyrtarët.
Një dëshmitar tha për televizionin Mega të Greqisë se “pamë më shumë se tetë-nëntë veta në det…disa ishin duke notuar, të tjerët ishin pa ndjenja, të vdekur.”
Një tjetër dëshmitar tha se motoskafi ishte ndarë më dysh, kur foli për radion Sky.
Kombësitë e viktimave nuk janë bërë të ditura ende, transmeton syri.net.
Dy anije patrullimi dhe një helikopter janë përfshirë në operacionin e kërkim-shpëtimit ndërsa anijet private po ndihmojnë.
Anija turistike ishte duke transportuar njerëzit nga Aegina në një plazh aty pranë në ishullin e braktisur Moni.
Detajet sesi ka ndodhur aksidenti janë të paqarta thanë autoritetet.