Ekspertiza mjeko – ligjore e kryer në trupin e 29 –vjeçarit Pëllumb Marnikollaj, vërtetoi pretendimet e familjes së tij se ai është dhunuar barbarisht nga policia greke përpara se të ndërronte jetë.
Në trupin e 27 vjeçarit ka hematoma në pjesë të ndryshme, ka shenja të djegies së cigares në duar, gjoks e shpinë. Familjarët dyshojnë se dhuna barbare është ushtruar në postën e policisë “Ano Patisia”, në Athinë.
Ajo çfarë ka ndodhur me të riun më 3 gusht në këtë postë policie është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Ministria e Jashtme e Shqipërisë e pohoi këtë, teksa kërkoi hetim të plotë të rrethanave të ngjarjes.
Raporti i mjekësisë ligjore do t’u dërgohet autoriteteve që po hetojnë mbi shkaqet e vdekjes së të riut nga Rrila e Lezhës, raporton Lapsi.al
Deri tani gjithaçka është e mbuluar nga misteri.
Trupi i tij u gjet në frigoriferët e varrezave publike të Athinës.
F.H, mik i Marnikollajt, futbollist në një ekip grek, hedh dyshime se ai është vrarë nga policia greke.
Ai ka qenë duke folur në telefon me Marnikollajn kur ai po shkonte të paraqitej në polici, për të zbatuar një vendim të gjykatës që e kishte dënuar atë me “detyrim paraqitje”.
“Isha në rajon policie, pas 2 apo 3 orësh e mora në telefon nuk përgjigjej më, telefoni ishte i fikur, u shqetësuam. Kontaktuam shoqen tonë avokate. Pasi e morëm në telefon shkuam në polici bashkë me vëllain e viktimës dhe dajën e tyre. Pyeti avokatja dhe na tha që Pëllumbi është pa jetë. Polici më tha është hedhur nga kati i 4-t, i kërkova me tregu se ku është hedhur, ma bëri me dorë, por më tha që janë arsye hetimore. I kërkova me hap kamerat, tha që serveri nuk punonte atë ditë”, ka rrëfyer ai.
Policia greke pretendon se Pëllumbi është hedhur nga kati i katërt. Familjarët dhe miku i tij i ngushtë e hedhin poshtë këtë version. Ishin ata që insistuan në kryerjen e autopsisë nga autoritetet shqiptare, pasi autoritete greke e kishin bërë autopsinë pa vënë në dijeni asnjë nga familjarët.
“Kur shkuam tek varrezat na thanë që autopsia është bërë me urdhër të rajonit të policisë. Ne u çuditëm, si ka mundësi që është bërë kjo pa dijeninë e familjarëve. Pasi na dhanë kontaktin me agjencinë private funerale nuk dëgjonin të na tregonin trupin pa urdhër të prokurorisë, deri sa më në fund e pamë trupin. Syri i majtë i nxirë krejt, shpina, dora e majtë e nxirë krejt. Ai ishte torturuar deri në vdekje. Nuk donim gjë tjetër veçse me marrë trupin deri në shtëpi. Ishte dërguar në varreza si një njeri i paidentifikuar”, shprehet miku i tij.
Në Shqipëri kjo ngjarje po përcillet me shqetësim. Publiku dyshon se mund të jetë një rast i ngjashëm me atë të Ilia Karelit, shqiptarit që u provua se u vra barbarisht nga disa gadianë burgu, duke e dhunuar. Ashtu si me ngjarjen e Ilia Karelit, hetimet për zbardhjen e ngjarjes po kryhen nga prokuroria shqiptare.
/tvbulqiza.al