Ish -deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, është angazhuar në zgjedhjet e pjesshme në Dibër.
Ndoka u detyrua të lërë mandatin pas presionit të opozitës dhe SHBA-ve për shkak se u zbulua që kishte qenë i dënuar për prostitucion,
Edi Rama e ka thirrur në ndihmë në fushatën lokale që pritet të kthehet në një betejë politike, pasi konsiderohet si test për zgjedhjet e përgjithshme që po afrojnë, shkruan Lapsi.al
Ndoka, siç e tregojnë këto foto ekskluzive të siguruara nga Lapsi.al, ka zhvilluar takime me drejtues të fushatës së kandidatit socialist Muharrem Rama dhe të afërm të tij, në zonën e Maqellarës.
Ai ka udhëtuar në disa pjesë të kësaj zone me makinat e fushatës së Muharrem Ramës.
Arben Ndoka e dorëzoi mandatin e deputetit në shtator 2015, pak muaj para miratimit të ligjit për dekriminalizimin, duke shmangur kështu largimin e detyruar nga Parlamenti.
Futja e tij në Kuvend u përmend si rast i rëndë edhe në raportin e departamentit amerikan të shtetit.
Largimi i tij u përshëndet menjëherë nga ambasada e SHBA-ve.
Por edhe pse i dënuar për një vepër të rëndë penale, pas largimit ai mbeti aktiv në PS-në e Lezhës dhe pati ndikim edhe në zgjedhjen e prefektit të ri.
Nga opozita Arben Ndoka u akuzua në zgjedhjet e 2013-ës se ushtroi presion ndaj komisionerëve.
Ai nuk u zgjodh deputet direkt, por u fut pas lënies së mandatit nga Mimi Kodheli.
PD e akuzoi se ai dhe Rama detyruan përmes kërcënimesh dy gra që ishin në listë pas Kodhelit që të mos e pranonin mandatin.
Arben Ndoka nuk mban zyrtarisht asnjë detyrë në PS. As në atë të Lezhës.
Ai nuk ka asnjë lidhje organike as me PS-në e Dibrës. Thirrja e tij në këto zgjedhje e kompromenton jo pak fushatën e Partisë Socialiste, jo vetëm moralisht, por edhe përsa u përket standardeve zgjedhore.
Ai ka qenë objekt akuzash për manipulim të zgjedhjeve në Lezhë.
PD njoftoi se ka ngritur një strukturë me ish-policë e të rinj të Akademisë “Azem Hajdari” për të mbrojtur votën nga grupet kriminale që sipas saj Rama ka dërguar në Dibër.
/tvbulqiza.al