Viti i ri shkollor 2016-2017 për sistemin e arsimit parauniversitar në mbarë vendin do të nisë në 13 shtator 2016. Ndërkohë që, sa i përket shitjes së teksteve shkollore, pritet që të fillojë mesin e kësaj jave që nis, përkatësisht më 25 gusht. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, shitja e teksteve shkollore do të vijojë deri më datë 12 shtator dhe të gjithë librat duhet të kenë detyrimisht pullën dhe hologramën e MAS-it. Sa i përket strukturës së vitit të ri shkollor, e marta e 13 shtatorit është dita e parë e shkollës si për shkollat 9-vjeçare, edhe për shkollat e mesme dhe shkollat profesionale. Ndërsa, përfundimi i shkollës do të jetë në qershor 2017, por në data të ndryshme.
Shitja e librave
Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, datë 14.04.2016, përcaktohet se: “Përgjegjës për shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore janë botuesit dhe distributorët përkatës. Shitja e teksteve shkollore bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera pranë shkollave, nga subjekte të licencuara. Me kërkesën e botuesve apo distributorëve, drejtoritë e shkollave janë të detyruara të vënë në dispozicion falas një ose dy ambiente për shitjen e teksteve shkollore, për periudhën 25 gusht-12 shtator 2016. Tekstet që shiten duhet të kenë detyrimisht pullën dhe hologramën e MAS-it”. Po ashtu, në udhëzim saktësohet se ndalohet shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore nga punonjës arsimorë, me përjashtim të teksteve për nxënësit e pakicave kombëtare.
Ndërkohë që prindërit në ambientet e shkollave mund të gjejnë listën e teksteve që shkolla përkatëse do të përdorë për vitin e ri shkollor 2016-2017, ku të përcaktohet emri i botuesit/distributorit si dhe çmimi i shitjes së librit. Normalisht ky është një detyrim që drejtoritë e shkollave duhet ta kenë plotësuar duke nisur që në muajin qershor, kur dhe është bërë përzgjedhja e teksteve nga mësuesit e shkollave. Një tjetër pikë e udhëzimit të MAS-it është se: “Subjektet e licencuara për shitjen e teksteve shkollore në pikat e shitjes të hapura në ambientet pranë shkollave nuk lejohen të shesin tekste që nuk i përkasin katalogut”. Po ashtu, DAR/ZA-të kanë detyrim që, gjatë dy javëve që do të bëhet shitja e teksteve, duhet të raportojnë çdo ditë elektronikisht në MAS për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore.
Katalogun e teksteve për vitin shkollor 2016-2017 mund ta gjeni në faqen zyrtare të MAS, www.arsimi.gov.al.
Viti shkollor
Për arsimin bazë, viti shkollor nis më 13 shtator 2016 dhe mbaron më 9 qershor 2017. Pushimet e para për nxënësit e arsimit bazë fillojnë më 24 dhjetor 2016 dhe mbarojnë në 3 janar 2017. Në strukturën e vitit të ri shkollor për arsimin bazë, MAS-i ka reduktuar ditët e pushimeve. Kështu, nëse vitet e mëparshme nxënësit në muajin prill kanë pasur 5 ditë pushimi, vitin e ri shkollor periudha e dytë e pushimeve nis në 31 mars 2017 dhe mbaron në 2 prill 2017. Nxënësit e shkollave 9-vjeçare edhe këtë vit, provimet e lirimit do t’i zhvillojnë në periudhën 10-30 qershor 2017. Shkollat e mesme mësimin do ta fillojnë në 14 shtator, si pjesa tjetër, por viti shkollor për gjimnazet përfundon më vonë, në datën 16 qershor 2017. Vetëm maturantët vitin shkollor e nisin në 13 shtator dhe e mbarojnë në 31 maj 2017, pasi iu nisin provimet. Edhe për gjimnazet, pushimet e dimrit fillojnë në 24 dhjetor dhe mbarojnë më 3 janar 2016. Sa u përket provimeve të maturës, edhe vitin e ardhshëm shkollor maturantët do t’i zhvillojnë pesë provimet e saj gjatë muajit qershor. Në udhëzim është përcaktuar se provimet e maturës do zhvillohen
në 1-30 qershor 2017./GSH