E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

REPORTAZH/ Në Peladhi, ndër vise bëmash Kastriotësh

ne_peladhi_nder_vise_bemash_kaNga Ben Andoni

Realiteti është se ne s’jemi të sigurt që Peladhia është afër rrugës Nacionale, që lidh Bulqizën me Maqellarën. Në fakt është. Pyesim një të ngeshëm në Bulqizë, që na bën një guidë fjalësh me disa kthesa imagjinare. Burri ka një si shenjë rrudhje te sytë dhe përgjigjet pak me indiferencë.

Peladhia! Nëse këtë toponim me kaq shumë zanore do t’ia tregoje ndonjë njeriu, që nuk e njihte historinë, atëherë besoje: do e kishe punën pisk. Fillimisht, do duhej ta sqaroje se është i vërtetë. Po, bash i vërtetë. Anipse, pak kilometra nga Bulqiza, asgjë nuk të ngjall kureshtje nga vendi, që sot quhet Peladhia. Është një nga emrat më të vjetër të zonës dhe shumë nga bashkëluftëtarët e Skënderbeut besohet të kenë qenë nga ky vend dhe nga fshatrat përreth. Jo më kot: Legjenda, mite, këtu t’i thonë sikur po të tregojnë ndonjë histori të thjeshtë. Vajkali, në lindje janë Gurët e Skënderbeut, Valikarda, Torviodhi. Po, janë të gjitha këtu. Fushë-beteja të mëdha, që duken si të fshehura mes një relievi vërtetë impozant. Serbët do t’i shkretonin më 1913. Në një kronikë, që i dërgohet Fuqive të Mëdha tregohet për dhjetëra dibranë të vrarë. Njërit i është prerë fyti para njerëzve të shtëpisë. Tjetri është ekzekutuar. Të tjerë të therur…

Ish-Mësuesi ka nxjerrë bagëtinë tutje. Matanë pemës që njihet me emrin e Skënderbeut ka marrë udhën tutje, bashkë me njëzetë e dy delet e tij. Në kohën e mësuesisë ka dhënë në një shkollë të zonës të gjitha lëndët. Ka qenë drejtor që gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe pastaj ka ndërtuar shkolla. Ka dhënë sërish mësim. Tani pensionin e ha si bari, thjesht. Kjo ditë e vrenjtur është pak a shumë si gjithë të tjerët në këtë mars të vitit 2010. Edhe për të është njësoj. Një erë e lehtë fryn nga Temli, ndërsa bagëtitë rrasen njëra-me-tjetrën. I ndjek i bindur nga pas…
Në histori
Pasi kemi qenë vetëm pak minuta më parë në nivelin e katërmbëdhjetë, thellë në minierë, ky fluturim drejt reportazhit -na duket si një shpëtim nga ndjenja e nëntokës. Ndaj ftesës për të qenë në Peladhi nuk e kemi shmangur. I shpjegoj Juttës pak historinë edhe pse shpesh dështoj për t’i ngjallur ndonjë interes historik. “Si? Kanë hedhur kalin. No…S’mundej! Si ka mundësi. No….”. Rrëfimi im patetik po rreket t’i thotë sesi e gjitha kjo ndodhi në verilindje të fushës së Torviollit, ku Skënderbeu la një nga gjurmët e tij më të pavdekshme, atje bash në vendin që sot quhet “Ura e qitetit”. I tregoj Malin e Temlës, që bie mbi këtë urë. Në këtë grykë të ngushtë natyrore, Skënderbeu u bëri një nga pusitë më të jashtëzakonshme turqve.
Këtë herë dinakëria e tij nuk eci. Ndaj, heroi mblodhi grurin që kishin në torba ushtarët dhe ia serviri si ushqim një pele të bardhë. Pasi e ngopi, e rrëzoi nga maja e malit që sot rri po kaq rëndë mbi rrugën nacionale, fill pas Bulqizës. Turqit e mbledhur për të parë këtë ngjarje të jashtëzakonshme e panë me habi njëri-tjetrin dhe hamendësonin nëse kjo gjë e stërmadhe ishte dhi e egër nga ato që rriteshin normalisht lart apo pelë. Që atëherë ky vend do të quhej Peladhi…”Ah…kështu…”. Po i them Juttës. Nuk e di vërtetë nëse edhe unë jam vetë mes mitit dhe realitetit.
Në Peladhi
Realiteti është se ne s’jemi të sigurt që Peladhia është afër rrugës Nacionale, që lidh Bulqizën me Maqellarën. Në fakt është. Pyesim një të ngeshëm në Bulqizë, që na bën një guidë fjalësh me disa kthesa imagjinare. Burri ka një si shenjë rrudhje te sytë dhe përgjigjet pak me indiferencë. Historia me të nuk mbaron këtu!!! Ata që do të na drejtojnë realisht janë disa djem të rinj, me kapuçë në kokë, të tipit hip-hop. Na qeshin, kur i kërkojmë vendin, por nuk e hamendësojnë dot se çfarë duam atje. Vërtetë pak minuta jemi aty.
Ka tym nga dy shtëpi, por askush s’është afër të na tërheqë. Nuk gjejmë dot shtëpinë e kryeplakut. As atë vetë. Shtëpitë e tjera janë zhytur në një si pritje të pranverës dhe edhe të kësaj kohe, që s’di të ndalë shiun dhe borën. Fare askush përreth. Na vjen turp të bëjmë edhe adetin e zakonshëm kombëtar klasik: A ka miq o i zoti i shtëpisë. Kujt t’i drejtohemi? Një qen i stërmadh rrotullohet ndanë shtëpisë, i ngeshëm.
Disa makina jashtë, pa punë, qëndrojnë të parkuara. Nga gjurmët poshtë rrotave duket se s’kanë lëvizur prej ditësh. Njëra syresh është me targat e Kosovës. Sakaq, një burrë na buzëqesh nga larg. I ngre dorën. Më shikon. Është i veshur qytetarçe dhe tmerrësisht i ngeshëm. I thërras. Ai bëhet dhe më i ngeshëm dhe mezi çapitet. Jemi në kufijtë e durimit. Era dhe shiu jo i lehtë monoton na kanë stërlodhur. Burri na bën me shenjë t’i afrohemi. I flas, por ai s’më kupton. Tre minuta më vonë ma kursen lodhjen se më thotë me shenja se nuk dëgjon mirë. S’dëgjon fare, për hir të së vërtetës. Qeshim të gjithë. Pesë minuta më vonë, një grua e vjetër shfaqet nga një shtëpi, para vendit ku po qëndrojmë. Është e shkurtër dhe hazërxhevap.
Veshur me traditën e zonës. Një triko, fund i gjatë stofi dhe shamia e bardhë, nga ku poshtë i duken flokët e lyer. Ajo na sqaron gjithçka. Vjen dhe i shurdhëti, por tingujt e tij më stërlodhin. Jemi tamam në Peladhi dhe gruaja na fton brenda. Nuk hezitojmë. Kemi ngrirë. Gruaja na udhëheq në kopshtin e shtëpisë, ndërsa nga dera del një grua e re dhe simpatike. Do na tregojë se është nusja e shtëpisë dhe mësuese diku afër. Për fat, shtëpia është e një mësuesi të vjetër, e të shoqit të plakës. Ka shkuar me bagëti, ndërsa kur të vi, ai do na orientojë ndër këto vise të Skënderbeut. Gruaja na siguron me mirësinë e saj. Jemi të qetë. Pranë zjarrit.
Gruaja
E reja kujdeset për zjarrin dhe shikon bukën, që po piqet. Është një mikpritëse e shkëlqyer. Kupton lodhjen e fytyrave tona, që këtë ditë kemi vuajtur shumë dhe na ofron veç të ngrohtës dhe një muhabet të qetë.
Flet me edukatë dhe me një nuancë të lehtë të dibranishtes. Ka ngritur familjen këtu, ndërsa plaku i shtëpisë, ish-mësues i vjetër, është një nga njerëzit që e njeh e gjithë zona për kontributin e tij. Dërgon një nga fëmijët ta thërresin, sepse plaku nuk mund të vijë kaq shpejt. E kam pak të vështirë të përfytyroj sesi një mësues i vjetër mund ta shtyj pension në mal, por këto janë gjëra që ndodhin në zonat rurale. Kjo të bën edhe ta respektosh. Kanë një lloj kamje të mirë, që duket nga mobilimi i plotë i shtëpisë, pastërtia dhe amvisat. Gruaja e vjetër na ka lënë që në fillim. Kjo shtëpi i ka kushtet, ndërsa për fat kanë edhe ujë. Gruaja na shpjegon se janë në gjendje të mirë, porse varfëria e minierës ka bërë që fshatarët ta ndjejnë shumë mungesën e parave. Është modeste.
Ndaj, fshatarët këtu jetojnë thjesht me të përditshmen, por më së shumti i janë kushtuar gjërave që kanë lidhje me mbijetesën. “Emigracioni, ai është burimi i parë. Sa për të tjerat, më mirë mos t’i përmend”, më thotë. Kanë pasur fare pak tokë, e për fatin e tyre të keq, nga toka e trashëguar s’kanë pasur shumë. Në Peladhi janë kthyer të gjithë në tokat e të parëve. Dhe, 7501 s’është dashur të zbatohet. Si të vjetër dhe me emër të madh kanë respektuar thjesht atë që kanë zgjidhur të parët. Por, sasia e tokës s’premton. I vjehrri i saj ka blerë dhe ka shtuar tokën për fëmijët. Si është jeta,- e pyesim. Djali i saj na shikon nga përtej dhe është pak kurioz. Si jetë fshati?-na gjegjet me një buzëqeshje. Ajo vetë ka ardhur nga Bulqiza. Sakaq, djali tjetër e ka lajmëruar plakun.
Plaku
Plaku vjen pak më vonë. Është vërtetë një burrë simpatik trup mesatar. Si dibran klasik është pa shumë gojë. Prezantohemi dhe i kërkojmë ndihmën tonë, që të na udhëheqë në fshat. E pranon pa hezitim dhe me gaz, përkundrejt 71 vjetëve që ka mbi kurriz. Bën dhe ai adetin. Na lëshon vendin e kreut. Pas muhabeteve të çastit i kërkojmë të kontrollojmë njohuritë tona. “Peladhia e ka ruajtur këtë emër prej kohëve. Jepen dy variante që në këtë luginë kanë qenë dhe dhi dhe kuaj dhe ndaj edhe i mbeti emrin. Në kohë të Skënderbeut ishte vendkalimi nga rruga e vjetër ajo e Arbrit. Ushtria turke këtu e kishte synimin. Një kilometër që atje është Fusha e Torviollit ku është bërë luftë e ashpër. Ai i fshehu në pyll. Dhe, pastaj me një grup të vogël sulmoi turqit”.
Kur u ndez lufta dolën të gjithë në Torvioll, na thotë. E pyesim për banorët e sotëm dhe fiset më të njohura. “Vendasit nuk janë të ardhur. Por ka dhe të ardhur. Ka fise Hysa, Gjura, Plaku, Gjoka, Meta, Rama dhe Disha. Këta janë më të vjetrit. Ka 300 e ca banorë. Ka pasur rreth 100 shtëpi por tani kanë mbetur rreth 70. Disa kanë shkuar në Bulqizë”. Peladhia në administratën e sotme është pjesë e komunës së Zerqanit, bashkë me fshatrat e tjerë të Shullanit, Krajkës, Valikardës, Zopodit, Tërnovës. Jetë e mot kanë jetuar me bagëti dhe pak bujqësi por vendi është i përmendur dhe kurbetin, që e kanë bërë deri në Stamboll. Përkatësia fetare është myslimane, por rrënojat e një kishe të mbetur tutje, tregojnë se në thellësi është i mbetur tharmi katolik. Njësoj në fshatrat përreth, ku ka rrënoja kishash. Por ky element është më i theksuar në toponimastikë. Sopoti ka ende shumë mbiemra katolikë: Pjetri, Skurra, Gjikola…
Plaku na grish të qëndrojmë sot në Peladhi. S’mundemi por i kërkojmë të na udhëheqë nëpër fshat dhe në vendet me toponimet që lidhet me luftërat e Skënderbeut. “Të gjitha do t’i bëjmë në kohën e duhur”, më thotë mësuesi, që tash e ka marrë me nge. Do të na tregojë Gurët e famshëm me emrin e Skënderbeut, pastaj një pemë, malin e Temlit, ku bëheshin sinjalet dhe vetë Torviollin. Biseda prek të përditshmen. Të shkretët, si gjithë shqiptarët e provincës, e kanë mendjen te politika në Tiranë, ndërsa trishtimin për pamundësinë e punës, e shprehin me shumë dinjitet.
“Peladhiasit?! I ka mbajtur këto njëzetë vjet vetëm bagëtia dhe pak emigracioni. Ndaj, Gjendja ekonomike në Peladhi s’është shumë e keqe. Një pjesë prej neve pleqve, i marrim ca lekë pensioni. Bukën e blejmë të gjithë”-më sqaron dhe shton se për disa fshatarë sot të 4.400 lekët që duhen për thesin e miellit s’janë aq të lehtë. Është afruar dhe plaka. Por, tashmë s’është më ajo gruaja me humor, por një grua tërësisht e nënshtruar. E pyesim dhe atë për mbijetesën? “Si të them unë? E vështirë asht. Uj kemi. Asht lehtësu. Kemi lavatriçe. Ne gratë i bëjmë të gjitha. Mbajmë kopshtet. Tu mjel”. E shikoj që druhet dhe e ngacmojmë për të shoqin: “Pa ndihmu burrat çfarë me ba, ma kthen e turpëruar. Jam nga Zerqani dhe i pëlqeva shumë burrit tim”, shton pas pak. Je bërë Pishman që je martuar këtu, e pyesim. Kuptohet përgjigja: Jo.
Intermexo-Dibër-Zerqan-Peladhi 1913
Në Valikardhë, në pikë të ditës dhe në prani të krejt banorëve, Ymer Halili, Osman Qira, Qerim Zejneli, Ismail Alushi dhe Sul Hoxha (hoxhë mysliman) janë prerë me bajonetë dhe janë katandisur në kufoma të panjohshme. Shtëpitë u janë djegur pasi më parë u ishin plaçkitur.
Në Peladhi, janë bërë kontrollime shtëpi më shtëpi, me pretekst të kërkimit të armëve. Shumë shtëpi janë plaçkitur. Shtëpia e Hasan Patajt është djegur dhe pronari është prerë në fyt në prani të nënës së vjetër, gruas dhe fëmijëve.
Në Krajkë, shtëpia e Muharrem Dervishit është djegur pasi ishte grabitur.
Në Zerqen, krejt shtëpitë janë grabitur dhe djegur.
Me Skënderbeun
Me Skënderbeun
Plaku e ndjek me kujdes të shoqen, që është emocionuar pafund para diktofonit. Kanë katër djem e dy vajza. I kanë të martuar të gjithë. Një në Itali, 2 punojnë në Bulqizë, një në avari shpëtim dhe tjetri shofer. “Punë s’ka dhe makinat, që kemi blerë për biznes, rrinë në tako. Bujqësia këtu ka lidhje thjesht me misrin dhe fasulet, si edhe ujin, i cili është i mjaftë jo vetëm për të pirë por edhe për vaditje…Ja prej andej e marrim”, ma tregon me dorë një vend hipotetik. Në shtëpi vjen dhe një nga djemtë e shtëpisë.
Është pikërisht njeriu, që na ka drejtuar në Bulqizë për të ardhur. E njoh nga zgavrat e syve, që i ka pak si qepura. Duhet të jetë mesoburë, ndërsa zë vend përballë dhomës së madhe të pritjes dhe lë plakun të flasë. “Me Enverin kemi shkuar mirë. Kavatosemi me dhjamin tonë. S’ka pasur të persekutuar dhe ata që janë në marrëdhënie pune janë vërtetë mirë. Trashëgova një dynym e gjysmë tokë, ndërsa tashti kam blerë dhe kam 7-8 dynym. Shkojmë mirë me njëri-tjetrin ndërsa japin e marrim me fshatrat fqinjë, Bulqizën dhe pastaj që Gryka e Vogël dhe deri në Shupenzë”.
Mësuesi e ka pasur të atin hoxhë dikur, por vetë ndoqi shkollën laike. Ndërtoi jetën e tij këtu dhe ashtu e vazhdoi. Dy djemve u dha arsimin e lartë, por tash ata janë në emigracion, sepse s’ka më vend në Shqipëri. Njëri është kthyer, ndërsa tjetri vazhdon ende të punojë. Sot, ai administron shtëpinë me paratë që marrin nga pensionet dhe punët e përditshme. Ka 22 dhën, dy lopë dhe dhi. Një minifermë e këndshme blegtorale me të cilën mbijetohet. A të vjen keq, që nuk ka treg, për prodhimet- pyesim djalin.
Tund kokën. “Ne kur kemi prodhim lusim shoferin që vjen thjesht me e ble. Sa i mbushet mëndja aq e merr. Ky vend është i varfër edhe pse ka minierën. Më parë punonin të gjithë në Bulqizë. Tani këtu punojnë vetëm 5-6 njerëz”, thotë drejt pa devijuar. Mundohemi t’i shmangemi kësaj dhe flasim pak për historinë. Aty muhabeti ‘rrëshqet’. Sekush do të tregojë më shumë. Në Dibër ka emrat më të shumtë në vend që lidhen me kalatë, qytetet dhe toponimet me emrin e Skënderbeut.
Dhe, e vërteta është se në këtë vend janë bërë betejat më të suksesshme të tij. Në të vërtetë, në atë kohë, rrugët tokësore i përcillnin turqit në Shqipëri në dy drejtime.
Njëra ishte prej Dibrës të Epërme, Grykës së Drinit të Zi që lidh Dibrën e Epërme me fushën e Strugës dhe të Ohrit prej ku ajo komunikonte me Manastirin. Kurse Gryka e Radikës, duke marrë rrugën e vjetër përmbi Galishnik e nëpër Bistra e lidhte vendin me fushën e Mavrovës, Gostivarin e Tetovën dhe të nxirrte në Shkup Këto ishin dy rrugët kryesore ku turqit hynin në territorin e Shqipërisë dhe që Skënderbeu, ashtu si besohej që ka qenë dibran, e administronte luftën që shumë parë në fushë të Ohrit, Strugës në Mokna, Mavrovë. Ai manovronte njëherazi në Mat, Tiranë, Tumenisht..për të lodhur forcat turke.
Biemi, burim që Schmitt e ka eliminuar në historinë e tij, na thotë se një nga betejat më të mëdha të Skënderbeut u zhvillua në fushën e Terviollit në Dibër të Sipërme. Ka pasur shumë volle, më thotë plaku, ndaj i mbeti emri kështu. S’e kap dot emrin e këtij fryti. Ngrihemi. Tashmë, Plaku do të na rrëfejë pemën e Skënderbeut, ndërsa shkëmbin dhe lapidarin do të ikim vetë. Në lindje të Vajkalit, në kufi me fshatin Dragu gjenden Gurët e Skënderbeut, saktëson plaku, që do të na shoqërojë kudo. Në kujtim të saj është ngritur përmendorja, që e kemi hasur në fillim, në vendin e quajtur Ura e Qytetit.

Ndërsa. Largohemi me plakun, tashmë u vjen një nga një radha banorëve të tjerë të flasin. Janë shtëpi, që ngjasojnë me modelin e shtëpive të Mirditës dhe pak të malësisë së Lezhës. Shtëpitë e vjetra u kanë lënë vend atyre të reja, por pa i prishur këto të fundit. Tutje, një shtëpi e rrënuar tregon fatin e shtëpive, që të zotët e kanë braktisur prej kohësh. Është shtëpia e inxhinier Patës, më thotë plaku. Në fakt, i biri i tij, Ylli ka qenë një nga njerëzit që më ka grishur për këtë. Dy burra të shëndetshëm, që janë afër pemës së njohur, që lidhet me një toponim skënderbejan, më qahen, teksa i takojmë. Plaku i hedh një vështrim indiferent në dinjitetin e tij. Ata s’ndihen më. Nga Peladhia janë disa intelektualë, që mbesin dhe krenaria e vërtetë e fshatarëve këtu. Ata kujtoni, u thotë plaku. Më përmend pastaj doktor Ahmet Kamberin; Enver Hysën, profesor; piktorin Shaban Hysa, inxhinierin e nderuar Bujar Pata, etj. Për këta flisni, u thotë fshatarëve, që duan të na konfuzojnë. “Jemi krenar për ta”, më sqaron

Të vjen mirë, që Rruga e Arbërit do të kalojë këtu, e pyesim në ikje plakun. Mirë, por jo aq shumë. Do jetë mirë se do i kemi fëmijët sërish në shtëpi në mbrëmje, po të duan të ikin në Tiranë, por këtë rrugë e kemi pasur që në kohë të Italisë,- më thotë- dhe kohë të tëra të shkuara, shton sërish. Ajo që e vret është se “Peladhisë, po i humbet emri, megjithëse është aq shumë i madh: Keq na vjen. Kemi mbetur vetëm një pjesë pleqsh me kujtimet tona, kurse të rinjtë janë larguar dhe këta e kanë këmbën në yzengji…”. E qetësojmë. E rikthejmë në shtëpi, ndërsa ne duam të vazhdojmë me fotot dhe me bisedat tona. Një shi i shtruar ka rifilluar sërish. Një burrë, që e gjejmë te lapidari, që kujton luftën e Torviollit dhe që është 10 minuta më tutje, po pret një makinë. I tërheq, vëmendjen aparati…Në kokë kam plakun :”Ndërlidhja në kohë të Skënderbeut? Ndizej zjarri në Deshat në Dibër të Madhe dhe i përgjigjej te shkëmbi i Kullës te shkëmbi i qytetit. Ky një mali tjetër dhe ky pastaj në Krujë…Mal më mal se ushtria turke po mësy. Ka qenë një karakoll këtu. Sipas meje Torviolli është bërë atje…Te Ura e qytetit, bash atje ku është lapidari”. Ka filluar të errësohet. Peladhia vishet nga pak me një muzg të hirtë. Karakolli i Skënderbeut, mbi shkëmb na përcjell indiferent. Ne mbështetemi për t’u prehur pas një historie gati metafizike, që e kemi filluar nëntokë, jemi përcjellë tutje në historinë e Arbërit për ta mbyllur në këtë mbrëmje në një nga vendet që lidhet me konvencionin lokal Malin e Grykës së Madhe…Prag-pranverë 2010.
Shënime janë mbështetur nga libri “Dibra në udhën e historisë” të Azis Ndreut, kronika e luftës së parë është gjetur në një shkrim të Robert Elsie. (mapo)

Artikuj te ngjashem

Me te fundit