Kandidati i së majtës për Bashkinë e Dibrës është zhvendosur në Kalanë e Dodës, ku takoi zgjedhësit i shoqëruar nga deputeti Sadri Abazi dhe koordinatori socialist për qarkun, Damian Gjiknuri.
Asfaltimi i rrugës Ceren-Radomirë-Rade, ngritja e mirëmbajta e kanaleve të ujit vaditës, subvencionet për blegtorinë, krijimi i një ujëmbledhësi për ujë të pijshëm (Ploshtan, Ceren), rregullimi i rrugës së fshatit Shullan dhe promovimi i turizmit ishin disa prej angazhimeve të marra përsipër nga kandidati Muharem Rama, raporton Top-channel.
“Do të ndërtojmë një baxho, do të rrisim ndjeshëm fondet për blegtorinë falë mbështetjes së qeverisë. Duke qenë se kjo është një zonë turistike që vizitohet nga turistë të huaj e vendas, ne do të bëjmë realitet rrugën e Radomirës. Këtë projekt do ta zbatojmë me prioritet të madh për t’i ardhur në ndihmë zhvillimit të turizmit malor. Ne po realizojmë projektin e madh të rehabilitimit të bulevardit në Peshkopi, por pavarësisht se kundërshtari thotë po i çojnë lekët në bashki, prioritet për ne do të jenë zonat rurale, ku edhe përqëndrohet një pjesë e madhe e popullsisë”, deklaroi kandidati Rama.
Ndërkaq, Damian Gjiknuri theksoi se opozita e gjendur përpara faktit ku nuk ka çfarë thotë për kandidatin ka zgjedhur vetëm të shpifë. “Janë munduar të hedhin edhe baltë padrejtësisht për figurën e Muharemit. Në fakt, për mua ata kanë ofenduar popullin e Dibrës kur i thonë Muharemit trafikant droge. Normalisht, ju e njihni dhe ata tregojnë se nuk kanë çfarë të thonë fare për alternativën tonë dhe vetëm shpifin. Zgjedhjen e keni shumë të pastër dhe fati e ka ndihmuar që është numri 1 në fletën e votimit. Zgjidhni 1-shin dhe jam i sigurtë se Muharemi do të jetë vërtet 1-shi dhe shërbëtori juaj deri në fund”, u shpreh Gjiknuri.
/ tvbulqiza.al