Gjatë takimeve në Tomin, Rama premtoi se do të investohet për zgjidhjen e problemit të mbetjeve dhe përpunimit të tyre ashtu sikurse për krijimin e një ujëmbledhësi për ujë të pijshëm. Kandidati i mazhorancës premtoi asfaltim të rrugëve kryesore që lidhin fshatrat me qytetin ashtu sikurse sistemimin e rrjetit të kanaleve të ujërave të zeza dhe ngritjen e mirëmbajtjen e kanaleve të vaditjes. Rama u angazhua për mbështetje me subvencione për bujqësinë e blegtorinë ashtu sikurse për krijimin e pikave për grumbullimin e produkteve bujqësore.
“Do të fillojmë me sistemimin e kanalizimeve, me sistemimin e kanalit Llixha-Tomin-Brezhdan. Sigurisht do të rikonstruktojmë edhe gjithë rrjetin e brendshëm vaditës. Do të lidhim ujësjellësin e kalasë me fshatrat Tomin, Pilaf, Rashnapoi, Doshisht. Ndërkaq, Brezhdanin, Ushtelenzën dhe Catushin do ta lidhim me Sopranikën. Zona juaj është një zonë blegtorale dhe bujqësore ndaj do të shtojmë subvencione në mënyrë që të rrisim të ardhurta tuaja e të zhvillojmë këtë sektor”, u shpreh kandidati Rama
I shoqëruar nga kordinatori i Kryesisë së Partisë Socialiste për Qarkun e Dibrës Damian Gjiknuri, kandidati Muharem Rama u ndal edhe në një takim në lagjen “Kamen” të qytetit të Peshkopisë. Gjiknuri komentoi edhe rreth akuzave të hedhura në publik nga ana e opozitës ndërsa tha se doktor Rama ka cilësitë më të mira për të qenë kryebashkiak i Dibrës.
Nuk ka nevojë t’ja marrësh votën dibranit duke sjellë autobuzë me deputetë. Dibranët janë njerëz të thjeshtë, duan komunikim të thjeshtë, e kanë njeriun e tyre të thjeshtë dhe nuk kanë nevojë për pompozitete siç bën Lulzim Basha. Po ju ofendojnë me ata që ju sjellin. Sjellin taborre nga Tirana, sjellin ish-zyrtarë e deputetë që nuk kanë lidhje me Dibrën. Marshojnë këtu në Dibër, dhe për cfarë? Për t’ju mbushur mendjen gjoja se sa i keq është Muharemi që ju ka shërbyer juve në mes të natës kur keni pasur nevojë”, nënvizoi Gjiknuri