Kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu u takua me tregtarë dhe me përfaqësues të biznesit dibranë ku shpalosi dhe platformën e tij. Në këtë takim mori pjesë dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Filozofia e demokratëve për taksa të ulta dhe reduktim të burokracive do të aplikohet edhe në bashkinë e Dibrës me Sherefedin Shehun kryetar Bashkie.
“Parashikojmë në programin tonë ulje në maksimum të taksave dhe thjeshtim të sistemit të taksave. S’ka pse të jenë 24 taksa bashkie. Dhe taksat asnjëherë nuk duhet të jenë shkak për të falimentuar biznesin. Sepse fatkeqësisht qeveria e sotme taksën e ka vendosur si mekanizëm edhe për të burgosur. Për ato shërbime që janë në letër dhe nuk ju ofrohen juve, për të cilat ju paguani taksat, nuk do të ketë taksë.
Taksë e pastrimit, po të jesh biznes i madh të marrin taksë të madhe. Ajo është një taksë që duhet të ketë një analizë. Për çfarë i paguan, për çfarë shërbimi i merr ? Në qoftë se ti nuk bën pis, nuk e ndot ambientin, pse duhet ta kesh më të madhe taksën?
Në qoftë se uji vjen një herë në ditë, pse duhet të rritet tarifat e ujit të pijshëm? Siç ka ndodhur edhe këto ditët e fundit që na janë ankuar qytetarët.
Ne do të punojmë që të përmirësojmë infrastrukturën dhe të krijojmë një ambient familjar, tërheqës për të ardhur investimet. Ne do të bëjmë panaire lokale që të shkojnë bizneset e Tiranës dhe të Durrësit sepse atje është qendra e zhvillimit të Shqipërisë, të vijnë dhe të kontraktojnë për të blerë mollën, të kontraktojnë për të blerë fasulen”- u shpreh Sherefedin Shehu.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se arroganca, gjobat, taksat e larta po falimentojnë bizneset dhe kanë mbyllur mijëra vende pune. Zoti Basha u ndal dhe tek konkurrenca e pandershme që i bëhet biznesit dibranë ku çdo tender në këtë bashki e merr Sadri Abazi.
“Taksat janë rritur, tarifat janë rritur, arroganca e pushtetit është rritur, represioni është rritur, çmimi i naftës është rritur, çmimi i energjisë është rritur. Po të gjitha këto bien mbi kurrizin e biznesit. Sigurisht që me një analizë të fundit bien mbi kurrizin e çdo shqiptari, se kur është keq biznesi është keq vendi.
Kush tjetër përveç Sadriut merr tendera në Dibër? Po mirë, nuk ka biznese të tjera këtu që të gjitha i merr Sadriu? Po kaq është Dibra një katund me Sadriun?
Jo more zotëri nuk është kaq. Ka firma Dibra, po s’ka konkurrencë se ka klientelë, se ka korrupsion,”- theksoi zoti Basha.
Ulja e taksave dhe reduktimi tarifave nga Bashkia e Dibrës me Sherefedin Shehun është vetëm hapi i parë, theksoi zoti Basha duke sjellë në vëmendje që me të Kryeministër taksat do të ulen në nivel kombëtar. 9% taksë e sheshtë, 9% sigurime shoqërore, 15% TVSH, investime që hapin vende pune dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve, janë platforma e demokratëve nesër në qeverisjen e vendit.