E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Reagon ASHE pas denoncimit të PD për blerje votash në zgjedhjet e Dibrës

Muharme-Dibra-1Shtabi Elektoral i kandidatit të ASHE për Bashkinë Dibër, ka reaguar pas kallëzimit të PD në prokurori, se koalicioni i majtë po bën përpjekje për të cënuar votën e lirë në Dibër dhe po shantazhon qytetarët.
Shtabi elektoral i kandidatit Muharem Rama deklaron se PD, e përfshirë në ethet e humbjes së pritshme në zgjedhjet e pjesshme të 11 Shtatorit për kreun e Bashkisë së Dibrës, është angazhuar intensivisht në një skemë për të krijuar alibinë justifikuese të disfatës elektorale.
Shtabi elektoral i kandidatit të majtë thekson se PD synon të baltosë procesin zgjedhor dhe hedh poshtë me neveri kallëzimin e PD, duke e cilësuar kretësisht si të pavërtetë.
Këtij objektivi i shërbën edhe kallëzimi i bërë sot publik, akt që në thelb synon vetëm të baltosë procesin zgjedhor, në kushtet kur kjo forcë politike nuk arrin dot të sigurojë rezultatin e dëshiruar.
“Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” hedh poshtë me neveri përmbajtjen e këtij kallëzimi penal duke e cilësuar krejtësisht të pavërtetë dhe me synime të paracaktuara politike.
Gjejmë rastin ti kujtojmë opinionit publik, se kjo tentativë e Partisë Demokratike për të baltosur zgjedhjet vjen në një kohë kur deputetët, aleatët dhe ish-zyrtarët e saj kanë zbarkuar në Bashkinë Dibër, në përpjekjen për të intimiduar zgjedhësit dhe tjetërsuar vullnetin e tyre të lirë. Në realitet, ata po fyejnë popullin e Dibrës duke vulosur humbjen e tyre të sigurtë në zgjedhjet e 11 Shtatorit”, thuhet në deklaratën e shtabit të majtë Dibër.
Në deklaratën e shtabit të majtë thuhet se Basha ka kërcënuar punonjësit e administatës publike. Shtabi elektoral i Muharem Ramës akuzon edhe kryebashkiakun e Kamzës si të përfshirë në skemën e PD. Në deklaratë thuhet se Xhelal Mziu ka kërcënuar më prishjen e shtëpive të dibranëve që jetojnë në Kamzë.
“Qytetarët e Dibrës, prej dy javësh kanë patur rastin të ndeshen me kërcënimet e ushtruara ndaj tyre në mënyrë të vazhdueshme. Në krye të kërcënimeve është vënë edhe vet kreu i opozitës Lulzim Basha i cili përveç aktivizimit në terren nuk ka hezituar të kërcënojë punonjësit e administratës publike përmes telefonatave e mesazheve.
Në këtë skemë është përfshirë fuqishëm edhe kryetari në detyrë i Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu, person me precedent penal dhe i njohur për përdorimin e administratës në funksion të fushatave elektorale të Partisë demokratike. Ai është angazhuar intensivisht në Zall Dardhë, Reç dhe Lurë. Ekzistojnë dëshmi të qytetarëve të kërcënuar prej tij me prishjen e shtëpive të familjarëve që jetojnë në Kamzë ashtu sikurse përpjekjet për tu tjetërsuar vullnetin politik”, thuhet në deklaratën e Shtabit Elektoral të Majtë në Dibër.
Arben ristani, Edi Paloka dhe përfaqësues të tjerë të PD ushtrojnë presion ndaj zgjedhësve në Dibër thuhet në deklaratën e shtabit të kandidatit Muharem Rama.
“Të njëjtin angazhim në terren duke ushtruar presion ndaj zgjedhësve vazhdojnë të kenë edhe personazhe të tjera si Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, ish-zv.ministri i Brendshëm Genti Strazimiri, ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, ish-ministri i Arsimit Myqerem Tafaj dhe Luçiano Boçi. Ish-ministri i Brendshem Flamur Noka po ushtron presion në Maqellarë ndërsa ish-ministri i Ekonomisë Florion Mima në Sllovë. Gjithashtu, ish-ministri i Bujqësisë Jemin Gjana është duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi zgjedhësit e njësisë së Kaladë së Dodës dhe ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami në Lurë. Këtij angazhimi kriminal nuk i kanë shpëtuar as figura të tjera problematike në të shkuarën e tyre si ish-drejtori i Përgjithshëm i Doganave Flamur Gjymyshka e ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Xhemal Gjunkshi”, mbyll deklaratën Shtabi Elektoral i kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë Dibër
Shtabi elektoral i kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dënon çdo akt presioni, shantazhi dhe tentative për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve të Dibrës.
Njëkohësisht, i kërkojmë organit të akuzës që të hetojë menjëherë dhe imtësisht çdo tentativë presioni e shantazhi ndaj zgjedhësve dhe çdo skemë për të baltosur procesin zgjedhor të 11 Shtatorit.
I bëjmë thirrje Partisë Demokratike të braktisë skenarin e saj të krijimit të alibisë së humbjes. Të gjitha forcat politike duhet të kontribuojnë që fushata zgjedhore të mbyllet e qetë e pa incidente ndërsa qytetarët e Dibrës të shkojnë drejt kutive të votimit për të vendosur të lirë për kryebashkiakun e ardhshëm.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit