Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Muharem Rama ka reaguar duke përgënjeshtruar lajmin e Partisë Demokratike që fliste për largimin e 200 anëtarëve nga strukturat e Partisë Socialiste.
“Asnjë anëtar i Partisë Socialiste nuk është larguar në drejtim të Partisë Demokratike dhe e gjitha është një shfaqje e shëmtuar me njerëz të importuar nga jashtë Dibrës, me synim dezinformimin e qytetarëve pak ditë përpara zgjedhjeve të 11 Shtatorit.
Përdorimi i manovrave të tilla nga Partia Demokratike veçse fyejnë popullin dibran dhe nuk mund të kenë asnjë efekt elektoral. Përkundrazi, edhe fushata elektorale e ka provuar se kandidatura e doktor Muharem Ramës arrin të sigurojë mbështetje nga e majta dhe e djathta.
Fakt që do të provohet nga vota e kësaj fundjave. Qytetarët e Dibrës e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre për të votuar masivisht në 11 Shtator për kandidaturën e doktor Muharem Ramës”, thuhet në reagim.
Sakaq më herët në një deklaratë të PD-së për mediat thuhej se rreth 200 socialistë kishin grisur teserat e partisë dhe i ishin bashkuar PD-së.