Dhjetëra maturantë protestuan të martën përpara Kryeministrisë dhe shprehën pakënaqësinë e tyre për sistemin aktual të përzgjedhjes së maturantëve fitues në fakultete, ndërsa kërkuan kthimin e sistemit meritë-preferencë.
Në të njëjtën kohë me protestën e tyre, kryeministri Edi Rama zhvilloi brenda kryeministrisë një takim me maturantët e ekselencës -ndër të paktët që siguruan një vend në fakultete gjatë fazës së parë.
Maturantët mbanin në duar pankarta me mbishkrime “Mos na e vidhni ëndrrën”; “Arsimi që nuk duam”apo “Reformë e dështuar, ministri e korruptuar”. Në shenjë revolte, ata hodhën bojë të kuqe në drejtim të kryeministrisë.
Të pyetur nga BIRN për takimin paralel të kryeministrit, protestuesit e quajtën atë joproduktiv dhe i bënë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e tyre, pasi ata janë më të prekurit nga sistemi i ri.
Maturantët akuzuan gjithashtu Ministrinë e Arsimit se po favorizon universitetet private dhe se po bën pazar me të ardhmen e shkollimit të tyre.
“I kërkojmë ministrisë të anulojë sistemin aktual dhe nëse kjo nuk ndodh, do të kuptojmë se nuk është sistem rastësor, por është bërë qëllimisht… për të na shtyrë drejt universiteteve private”, thanë maturantët në protestë.
“Refuzojmë që të jemi pjesë e reformës që po na shkatërron të ardhmen dhe po na lë pa shkollë,” tha në protestë maturanti Aleksandër Ndoci.
“Ata [zyrtarët e arsimit] thonë se ne të gjithë do ta marrim shkollën, por mesa duket nënkuptojmë se do ta marrim te privati”, shtoi ai.
Maturantët nisën valën e protestave një javë më parë, pasi mijëra maturantë e gjetën veten jashtë listave paraprake të fituesve në fakultete dhe pretenduan se ministria e Arsimit ka ndryshuar rregullat në minutë të fundit, pasi ata i kishin bërë tashmë zgjedhjet që do të ndikonin në renditjen e tyre në listat kualifikuese.
Listat e fituesve u frynë gjithashtu pasi ndryshimet e reja shpallin fitues një maturant me mesatare të lartë në shumë degë njëkohësisht, duke bllokuar vendet e tjera derisa të mbyllet faza e parë e fituesve.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla deklaroi se faza e dytë do të jetë ajo që do të sistemojë maturantët e mbetur në kuotat e lira, duke siguruar kështu arsim të lartë për pjesën më të madhe të të pakënaqurve.
Megjithatë, maturantët dyshojnë se faza e dytë do të sjellë ndryshime pozitive për ta.
“Sistemi aktual ka dështuar. Raundi i dytë nuk na jep asnjë siguri për t’u shpallur fitues në degët e preferuara,” tha për BIRN maturantja Sibjana Mustafaj, me një mesatare 9.28 sipas sistemit të vjetër dhe 8.81 sipas llogaritjes së re.
“Nuk do të isha e lumtur edhe nëse ky sistem do të më garantojë fitimin e një dege çfarëdo sa për të ndjekur shkollën e lartë, unë kam investuar shumë, edhe në kurse private për të ndjekur ëndrrën time,” shtoi ajo.
Mustafaj i tha BIRN se gjatë këtyre ditëve të paqarta, prindërit e ndjerë nën presion e kanë këshilluar të regjistrohej në një universitet privat, por ajo ka kundërshtuar.
“Kam të drejtën të vazhdoj arsimin tim në shtetëror, pasi i plotësoj të gjitha kriteret,” përfundoi maturantja Mustafaj.