Pas periudhës së kultivimit, korrjes dhe tharjes së marijuanës, vjen edhe koha e transportit. Dhe është pikërisht kjo koha, kur në hapësirën ajrore shqiptare shfaqen avionët nga Italia. Çmimi i lartë i transportit bën që, pavarësisht rreziqeve, avionë të vegjël të kryejnë shpesh fluturime ilegale drejt Shqipërisë ku ngarkohen me drogë, e cila furnizon tregun italian.
Ky ka qenë me shumë gjasë edhe rasti i avionit që u rrëzua sot në Ishëm, për të cilin ka dyshime të forta se kishte si qëllim transportin e marijuanës së tharë e presuar në rrethinat e Krujës, me destinacion jugun e Italisë, shkruan Lapsi.al
Avioni që mbeti në fushën e Gotullit, në zonën e Ishmit, e që drejtohej nga piloti italian 69 vjeçar, Guido Guidi, është i llojit “piper cherokee”, i njohur edhe si “PA- 28 cherrokee”, 4 vendësh dhe i aftë për të transportuar ngarkesa deri në 425 kg.
Po me të njejtin avion, pra të modelit Piper, por më të vogël, u rrëzua dy vite më parë në Divjakë edhe piloti italian, Giorgo Riformato, tashmë i dënuar me 16 vjet burg nën akuzën e trafikut të drogës me avion.
Siç duket, këto lloj avionësh janë praktikë pasi nëse nuk ndizet transponderi, ata nuk pikasen as nga radarët kryesorë por as nga radarët sekondarë të aeroporitit të Rinasit, çka i bën ata më të manovrueshëm brenda territorit shqiptar. Aviacioni Civil, deklaroi sot se nuk kishte asnjë dijeni për këtë avion dhe nuk dinte se si ai ishte futur në hapësirën tonë ajrore, pa njoftuar dhe pa një leje fluturimi.
Ky lloj avioni është kapur edhe herë të tjera në Itali dhe, në të gjitha rastet, është gjetur drogë e ngarkuar në Shqipëri.
/tvbulqiza.al