Kompania japoneze prodrone ka sjellë një model të ri droni që duket se do ta ndezë edhe më shumë debatin mbi përdorimin e tyre.
Përmes një videoje promocionale, ajo publikoi produktin e saj më të ri PD6B, i cili është i pajisur me krahë robotikë për të kryer detyra të ndryshme. Aftësitë e dronit shfaqen mjaft qartë në video ku mjeti fluturues përmes ganxhave në krahët e tij ngre një karrige metalike, madje edhe shfaqet duke qëndruar në një parmak si një zog grabitqar, raporton Top-channel.
Droni mban pesha deri në 10 kg me ganxhat e tij dhe deri ne 20 kg të varura në trup. Pavarësia e tij e fluturimit është 30 minuta me shpejtësi 60 km/h. Prodhuesi japonez i dronit pretendon se ai mund të kryejë një sërë shërbimesh, por si zakonisht në raste të tilla, nuk kanë munguar komentet negative.
Shumë njerëz komentuan në internet se një dron i tillë paraqet një vegël punë të mrekullueshme për hajdutët që tashmë nuk kanë nevojë as të hyjnë në vendet që duan të vjedhin.
Ndërsa të tjerë mendojnë se një mjet i tillë mund të përdoret edhe për të rrëmbyer fëmijët, megjithëse komente të tilla janë dënuar nga kompania japoneze që thotë se ka njerëz që përpiqen të shndërrojnë teknologjinë në frikë.
/tvbulqiza.al