Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar Qeverinë e Edi Ramës për largimin nga Shqipëria të kompanisë së huaj “OMNIX” me administrator biznesmenin Faad Mitri që u dhunua.
Në një deklaratë për mediat, kryedemokrati theksoi se largimi i kompanis që do të investonte 450 milionë Dollarë në Gjirin e Lalzit, është një lajm i keq për shqiptarët që prisnin vende pune. Ndërsa ka deklaruar se largimi i biznesmenit libanezo-amerikan janë gëzuar bandat kriminale.
Lulzim Basha i ka bërë thirrje kompanisë “OMNIX” që të rishikojë vendimin që ka marrë dhe të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri.
“Lajm i keq që përkeqëson klimën për investime të huaja. Por ky është një lajm i mirë për krimin, për banditët e Edi Ramës që ia dolën të largojnë një investitor.
Shqipëria e varfër janë e vetmja mundësi që ai të qëndrojë në pushtet. PD i bëjmë thirrje kompanisë OMNIX të rishikojë vendimin e saj. shqipëria ka shumë nevojë për investime për punë. Ne e dime që investitorët kanë nevojë për siguri nga qeveria”, tha kreu i PD Basha.
Deklarata e kreut të PD Lulzim Basha:
Ajo që pritej ndodhi. Sot kompania “Omnix”, deklaroi se tërhiqet nga çdo investim në Shqipëri.
I ikën Shqipërisë 450 milionë dollarë investim, i zhduken 1200 vende pune, i humb një shans i madh për të patur një investim turistik, ndër më seriozët në Ballkan, që do të ndikonte çdo vit për mirë në ekonominë tonë kombëtare.
Edi Rama heshti më 10 shtator kur u dhunua barbarisht investitori i huaj, në mes të ditës, në aksin kombëtar të Rinas-Tiranë. Duke heshtur ai u rreshtua edhe një herë me krimin dhe me banditët që dhunuan investitorin.
Ai heshti edhe sot pas këtij lajmi të kobshëm për ekonominë.
Hesht Edi Rama sepse kështu i duhet Shqipëria, e varfër, e pa punë, pa investime, sepse kështu e ka më të lehtë ta sundojë më lehtë me banda e me trafikantë.
Rreshtimi i kryeministrit të vendit në krahë të kriminelëve ka bërë që në Shqipëri për gjithçka të vendosë krimi.
Largimi i kompanisë “Omnix” është një tjetër lajm i keq për vendin tonë të kapluar nga varfëria, krimi, korrupsioni, të mbuluar nga droga, të sunduar nga bandat.
Një lajm i keq për mijëra familje, të cilat shpresonin se do të gjenin aty vende pune.
Një lajm i keq që nxin dhe përkeqëson më tej klimën për investimet e huaja të cilat bien nga viti në vit.
Por, ky është një lajm i mirë për krimin, për banditët, për trafikantët e Edi Ramës që ia dolën falë mbështetjes së tij të largojnë një investitor, të largojnë një mundësi të ndershme zhvillimi dhe punësimi.
Krimi, trafikantët dhe banditët ja dolën ta mbajnë plaçkë të tyre zhvillimin, siç duan ta mbajnë plaçkë të tyre Shqipërinë, plaçkë të kartelit të drogës që vendi të mbajë dhe të ofrojë të vetmen alternativë të Edi Ramës, që është hashashi.
Shqipëria e varfër dhe shqiptarët e varfër, Shqipëria më drogë dhe nën sundimin e kartelit të tij janë e vetmja mundësi që ai të qëndrojë në pushtet.
Partia Demokratike, unë do të dëshironim dhe i bëjmë thirrje kompanisë “Omnix” të rishikojë vendimin e saj.
Shqipëria ka shumë nevojë për investime, për punë.
Ne e dimë që investitorët kanë nevojë për garanci nga qeveria.
Investitorët kanë nevojë për siguri nga qeveria.
Edi Rama ka dëshmuar në këto tre vite se ai jep siguri, jep garanci vetëm për krimin, vetëm për bandat, vetëm për trafikantët, por për asnjë investitorë vendas apo të huaj.
Kjo është një arsye më shumë se pse ai duhet ndalur.
Shqipëria nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të jetë peng i Edi Ramës dhe kartelit të tij kriminal.