Ka përfunduar në barazim pa gola derbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana, i cili për herë të parë në historinë e tij është luajtur jashtë Tiranës, në Elbasan. Një ndeshje me ritëm e raste të shumta, e denjë për një derbi, por fatkeqësisht i mungoi goli.
Ndeshja nisi në një atmosferë elektrizuese të krijuar nga dy tifozëritë, të cilat në këtë takim zgjodhën të vendosen pas portave. Në tribunën VIP nuk munguan as politikanët. Braçe e Klosi e ndoqën derbin pranë njëri tjetrit, transmeton TCH.
Rasti i parë i takimit i takoi Partizanit. Në minutë e 14 një prej lojtarëve të Partizanit goditi fort nga distanca, por portieri Lika i Tiranës reagoi bukur duke e dërguar topin në këndore.
Në minutën e 31-të, Tirana i pati të gjitha mundësitë të kalonte në avantazh me anë të Merveille, por futbollisti hezitoi të godiste në momentet e fundit kur ishte i vetëm me portierin Hoxha.
Më pas, një mundësi e artë për Torasën, dy minuta para fundit të pjesës së parë, por edhe këtë herë lojtari nuk është treguar i saktë para Likës.
Edhe me nisjen e pjesës së dytë, ishte sërish Torasa në minutën e 55. Pasi i shmanget bukur njërit prej lojtarëve të Tiranës, lëshon një të djathtë të fuqishme drejt portës, por topi përplaset në shtyllë. Në minutën e 61 loja u ndërpre për pak çaste pas hedhjes së tymueseve nga tifozët. Porta e Tiranës u trondit sërish në minutën e 69, këtë herë me Bathën, i cili goditi nga 25 metra, por topi përfundoi në traversë.
Tirana mund të cilësohet me fat në minutat e fundit të takimit. Partizani shfaqet disa herë rrezikshëm, flagrant rasti i Bardhit pak para fundit, por edhe Ekuban. Megjithatë rrjetat mbetën të paprekura.
Dy ekipet e kryeqytetit ndajnë nga një pikë në këtë derbi, ku “fitues” mund të cilësohet Skënderbeu, i cili tashmë është shkëputur në 4 pikë nga Partizani i vendit të dytë. Ndërsa Tirana mban vendin e 6 me 4 pikë me vetëm barazime. Ndërkohë, ekipi i Sormanit, pas 4 javësh ende nuk ka pësuar gol.
Formacionet e dy skuadrave
Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Krasniqi, Atanda, Kalari, Bertoni, Vila, Trashi, Batha, Torasa, Ekuban
Tirana: Lika, Kërçiku, Muça, Teqja, Hoxhallari, Taku, Karabeci, Daja, Merveille, Moises, Edeh.