Menjëherë pas publikimit në emisionin “Stop” të rastit të korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës ku oficeri i policisë gjyqësore Fatos Lusha dhe prokurori Ardian Braho (ne foto) morën 18 mijë euro ryshfet për lirimin e një shume parash të bllokuara pas ardhjes nga jashtë ka reaguar kryeprokurori Llalla. Burime zyrtare pranë prokurorisë thanë se Lusha dhe Braho janë pezulluar menjëherë nga detyra.
Mësohet gjithashtu se në ngarkim të tyre ka nisur një hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Të njëjtat burime thanë se me shumë mundësi brenda mbrëmjes së të mërkurës mund të arrestohet oficeri i policisë gjyqësore Fatos Lusha pasi ndaj tij eshte leshuar nje urdher arresti. Ai shihet në videon e publikuar nga “Stop” duke marrë paratë. Ndërsa prokurori Ardian Braho pritet të thirret për tu marrë në pyetje për këtë çështje dhe do të hetohet fillimisht në gjendje të lirë duke qenë ai nuk duket në videon në fjalë derisa të zbardhet plotësisht ngjarja për implikimin e tij.