Dhjetra banorë të 3 fshatrave, Kodra e Danit, Qyre dhe Lepurakë, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, kanë protestuar për gjendjen e keqe të rrugës rurale që lidh këto fshatra me rrugën nacionale. Banorët në mënyrë simbolike bllokuan hyrjen e kësaj rruge. Sipas banorëve një gjendje e tillë skandaloze e kësaj rruge vazhdon të jetë e tillë prej vitesh, ndërkohë që akuzojnë bashkinë Bulqizë se nuk ka vënë dorë në të paktën mirmbajtjen e kësaj rruge, se për sistemim-asfaltimin e saj as që bëhet fjalë. Një situatë e tillë ka vënë në vështirësi edhe dërgimin e fëmijëve në shkollë si dhe të rasteve të transportimit të të sëmurëve për në spital.
Rruga është katandisur si mos më keq, e tëra e gropëzuar dhe pa kanale anësore në të gjithë gjatësinë e saj prej 3 kilometrash. Aktualisht rruga është bërë e pa kalueshme për auto veturat, por edhe për autobusin e punëtorëve që duhet ta bëjë këtë rrugë 6 herë në ditë për transportin e minatorëve.
Drejtuesit e mjeteve të transportit ankohen se paguajnë taksat, por rruga nuk mirmbahet.
Banorët të indinjuar nga indiferenca e pushtetit vendor, kërcënojnë se do dalin me gra dhe fëmijë për të protestuar, si dhe nuk do marrin më pjesë në votime, si në ato për pushtetin local, ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare, pasi kandidatët në vijimësi kanë premtuar gjatë fushatave elektorale jo vetëm për mirmbajtjen e kësaj rruge, por edhe për asfaltimin e saj.