E hënë, 25 Nëntor, 2024

UGSH me degë edhe në Qarkun Dibër

gazetaret

Në kuadër të zbatimit të projektit të BE-së dhe Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve për mbështetjen e rritjes së kapaciteteve të Unionit të Gazetarëve Shqiptar në nivel vendi, u zhvilluan këtë të premte zgjedhjet e UGSH për Qarkun e Dibrës. Në takimin e zhvilluar në qytetin e Burrelit, morën pjesë gazetarë nga i gjithë Qarku i Dibrës dhe Drejtues të UGSH. Në këtë takim anëtarët e Unionit të Gazetarëve Shqiptar në Qarkun Dibër zgjodhën kryetar të degës Gazetarin Dritan Kurti. Gazetarja Lindita Beqiri u zgjodh si koordinatore lokale për bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare dhe organizmat që monitorojnë lirinë e medias dhe situatën e gazetarëve në rajon. Ndërsa gazetarët Hysen Likdisha, Anduena Sefgjini dhe Islam Shehu, u zgjodhën anëtarë të bordit të degës së UGSH Qarku Dibër. Në fjalën e tij Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptar dega e Qarkut Dibër, Dritan Kurti tha se tashmë komuniteti i gazetarëve të këtij qarku do të veprojë si një i vetëm, si një zë i fuqishëm ndaj padrejtësive apo cënimit të lirisë së medias.Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, Aleksandër Çipa tha se me zgjerimin e unionit rriten kapacitetet e reagimit profesional. Çipa tha gjithashtu se me rritjen dhe fuqizimin e organizmave të gazetarëve, do të bëhet e mundur edhe pengimi i projekt-ligjit antishpifje që pritet të dërgohet në parlament. Ndërkohë dega e sapo krijuar e UGSH në Qarkun Dibër, do të nisë punën me të gjithë anëtarët për të qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të gazetarëve.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit