Ky furgon që shikoni, deri më sot shërbente si autoambulancë për Qendrën Shëndetësore “Myslim Cami”, për rreth 7000 banorë të Njësisë Administrative Shupenzë, të bashkisë Bulqizë. Si i përshatur për autoambulancë, në këtë furgon përveçse një krevati të modifikuar dhe një gome rezervë si stol për tu ulur, nuk egzistonte asgjë tjetër, madje nuk kishte as pajisje për vendosjen e serumit. Por nga kjo dite Qendra Shëndetësore “Myslim Cami”, Shupenzë është pajisur me një autoambulancë moderne, e bërë dhuratë nga një emigrant nga Shupenza që punon në Itali, Dritan Shpëtim Dema. Pajisjet e kësaj autoambulance janë të fjalës së fundit, duke sjellë progres në shërbimin ambulator në këtë Njësi Administrative. Me këtë rast u organizua edhe një ceremoni falenderuese dhe mirënjohëse për gjestin bujar të birit të kësaj zone, Dritan Dema, për humanizmin e treguar.Drejtori i shëndetit publik, Bulqizë, Flamur Meta, falenderoi emigrantin Dema për dhuratën që i bëri Qendrës Shëndetësore Shupenzë. Edhe kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, duke e vlerësuar aktin human të Demës, tha se komuniteti ynë ka nevojë për kontributin e njerëzve të tillë, pavarësisht ku ata ndodhen.Emigranti Dritan Dema në formë simbolike i dorëzoi çelsat e autoambulancës, doktorit të QSH Shupenzë, Naim Shehu, i cili e fëlënderoi Demën për kontributin e dhënë. Drejtori i spitalit të Bulqizës, Hazis Jella, si dhe stafi i bluzave të bardha të Qendrës Shëndetësore Shupenzë, dhe banorë të zonës përgëzuan gjestin bujar të bashkëqytretarit të tyre Dritan Dema. Jo pa emocion, vetë emigranti Dritan Dema tha se jam i gëzuar që po i shërbej zonës sime ku kam lindur dhe jam shumë falenderues për pritjen e organizuar.