Vetëm dy ditë pas protestës që zhvilluan banorët e fshatit Kovashicë në Njësinë Administrative Shupenzë në Bashkinë e Bulqizës, kjo e fundit ka ndërhyrë për të zgjidhur problemin. Specialistët e ndërmarrjes së Ujësjellës sh.a Bulqizë kane bërë të mundur riparimin e defektit në rrjetin e vjetër, duke bërë rikthimin e ujit të pijshëm për banorët. Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla tha se bashkia ka reaguar menjëherë për shqetësimin e banorëve dhe se tashmë problemi ka marrë zgjidhjen e nevojshme.Nga ana tjetër, Alla tha se brenda dhjetë ditëve do të vihet në funksion linja e ujësjellësit të ri pasi tashmë investimi është marrë në dorëzim nga Bashkia Bulqizë.Dy ditë më parë dhjetra banorë të fshatit Kovashicë në Shupenzë protestuan për mungesën e ujit të pijshëm. Edhe pse kishin në fshat dy rrjete furnizimi, ata nuk kishin ujë në çezmat e tyre.