Megjithëse është shumë pak kilometra nga qyteti i Bulqizës, fshati Vajkal është ndër fshatrat më të lënë pasdore sa i përket shërbimeve apo investimeve nga ana e pushtetit vendor. Fshati mbart një histori të shekullore ku përmendet edhe në luftërat e Skënderbeut me Turqit. Megjithatë, banorët thonë se historikisht në fshatin e tyre kanë munguar investimet. Pëllumb Dauti thotë se nuk mbahet mend sa kohë ka që në fshatin e tyre nuk ka ujë vaditës, ndërsa para viteve 90-të, ata e kishin ku vaditnin sipas një grafiku të përcaktuar nga vetë fshati. Nga ana tjetër, Pëllumbi thotë se mundësitë për të siguruar ujin vaditës janë të mëdha, por të gjithë drejtuesit vendor e kanë neglizhuar këtë duke e lënë fshatin në të thatë. Banorët aty janë me sytë nga qielli çdo vit për të mbjellat e tyre. Në këtë fshat janë dhjetra hektar tokë bujqësore që rrijnë djerr për shkak të mungesës së ujit vaditës.