Qytetet e Peshkopisë dhe të Bulqizës për shkak të temperaturave shumë të ulta që zbresin gjatë stinës së dimrit, zgjedhin ngrohjen me dru zjarri. Qytetarët mbushnin trotuare apo sheshe para pallateve të tyre me drutë e dimrit, një fenomen që niste që në muajt e verës. Por në Bulqizë këtë vit do të jetë ndryshe. Bashkia e këtij qyteti ka vendosur që të mos lejohen grumbullime të tilla të druve të zjarrit në hapsirat publike, por tjua shesë ajo qytetarëve. Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla tha se me krijimin e ndërmarrjes së prodhimit të druve të zjarrit është menduar që këtë shërbim tjua ofrojë bashkia qytetarëve. Sipas tij, çmimi për një metër kub dru zjarri do të jetë 3700 lekë të rinj si tani në verë e si në stinën e dimrit. Qytetarët që do të kërkojnë dru zjarri mund tja blejnë Bashkisë dhe t’i mbajnë në ambjentet e brendshme të banesave të tyre.Ndonëse tani është ende herët për të parë impaktin që do të ketë kjo nismë tek qytetarët e Bulqizës, ndërsa nuk dihet se si do të veprohet me ata qytetar të cilët i sigurojnë drutë e zjarrit në fshatrat e tyre dhe i përdorin në qytet.