Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së zyrtarit të SHBA se Rusia ka financuar këtë parti politike me 500 mijë dollarë në vitin 2017. Në një reagim në Twitter, Basha shprehet se PD “nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”.
Basha thotë se pas qarkullimit në media të këtyre pretendimeve, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja.
“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaron Lulzim Basha.