Hapsira anash rrugës nacionale nga fshati Kloskatund deri në fshatin Plan i Bardhë është e ndotur me mbeturina të hedhura vend e pavend.
Më problematike situata paraqitet në vendin e quajtur Qaf-Dushk. Kjo zonë është kthyer si pikë depozitimi mbeturinash, pasi hidhen vazhdimisht. Banorët e zonës thonë se hedhja e mbetjeve aty bëhet kryesisht gjatë orëve të natës.
Sipas tyre, janë subjekte tregtare nga Bulqiza që udhëtojnë për furnizim në Tiranë që hedhin mbeturinat. Avdi Kuka shprehet se në zonën me pisha mbeturinat janë të shumta që nga shishet me lëngje frutash apo energjike të skaduara, e të gjitha llojet e tjera të mbeturinave. Kuka kërkon që autoritetet të veprojnë sa më parë pasi po ju rrezikohet shëndeti nga prania e këtyre mbeturinave.
Në lidhje me këtë problematikë janë në dijeni të gjitha institucionet, qofshin ato të pushtetit vendor apo mbrojtjes së konsumatorit. Por megjithëse situata vijon prej shumë kohësh, jo vetëm nuk janë gjetur autorët e kësaj masakre mjedisore, por as nuk është pastruar zona.