Atletja Luiza Gega u prit me ceremonia nga qeveria dhe u nderua pasi u shpall Kampione Europe, në garën 3000 metra me pengesa. Ajo marshoi me një automjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku shoqërohej nga trajneri i saj dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Në hyrje të kryeministrisë Luiza Gega u prit nga kreu i qeverisë Edi Rama, i cili i puthi edhe duart. Gjatë një interviste për Panorama Plus, atletja tregoi a është ndjerë e përdorur nga politika.
Ajo u shpreh se në të gjithë botën sportistët me medalje priten si heroj, duke theksuar se njerëzit “ngatërrojnë bindjet e tyre politike me një vlerësim që duhet të bëhet nga kushdo parti që është në pushtet.”
Të shumtë kanë qenë edhe komentet se jeni përdorur nga politika, e ka ndjerë një fakt të tillë Luiza?
“Jo, nuk jam ndjerë e përdorur. Shiko, në të gjithë botën po ta shikoni sportistët kur arrijnë medalje të mëdha priten si heronj dhe unë thjesht kam qenë shumë e lumtur që kjo gjë po ndodh më në fund dhe te ne. Mendoj që gjithmonë do të ketë njerëz që ngatërrojnë bindjet e tyre politike me një vlerësim që duhet t’i bëhet një sportisti nga kushdo parti që është në pushtet”, u përgjigj ajo. /PanoramaSport