Rrugët e fshatrave të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit po kthehen në gati të pakalueshme. Kjo është rruga që lidh një pjesë të fshatit Shkallë me fshatin Gurë i Bardhë në rrugën e Arbrit.
Siç duket edhe nga pamjet, gropat e mëdha e bëjnë gati të pamundur kalimin e automjeteve të vogëla në të. Banorët e fshatit Gurë i Bardhë, por edhe drejtues të tjerë mjetesh që i drejtohen këtij fshati, thonë se gjendja e rrugës është skandaloze dhe e papranueshme që në vitin 2022, të mos kesh mundësi të udhëtosh lirshëm e paprobleme. Distanca nga rruga e Arbrit deri në qendër të fshatit Gurë i Bardhë është vetëm 4 kilometra, port ë duhet afërsisht 30 minuta për t’i përshkuar.
Drejtuesit e mjeteve dhe banorët kërkojnë nga pushteti vendor që të paktën rruga të shtrohet me zhavor, pasi stina e vjeshtës dhe dimrit, do ta vështirësojë akoma më shumë qarkullimin në këtë segment.Në të njëjtën situatë janë edhe rrugët e fshatrave të tjerë të Xibrit, ku prej shumë kohësh nuk rehabilitohen.