Një automjet është djegur nga një zjarr i qëllimshëm në qytezën e Bilishtit në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Mjetit tip “Benz” në pronës të 27-vjeçares Deizi Arapi, i është vënë zjarri me anë të benzinës nga një person ende i panjohur.
“Më datë 25.09.2022, rreth orës 02:20, në qytetin e Bilishtit, ka rënë zjarr në mjetin tip “Benz”, në përdorim të shtetases Deizi Arapi, banuese në Bilisht, i cili ishte i parkuar para banesës. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit”, sqaroi shkurtimisht Policia. Autori ishte parkuar pranë banesës së të resë, ndërsa në kur është zgjuar ajo e ka parë atë të shkrumbuar plotësisht
DËSHMIA
Pas ngjarjes, vajza e cila është bërë e njohur në rrjetet sociale për veshjet e saj provokuese dhe e ndaluar disa nga policia për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, tha se ishte e qëllimshme dhe madje pa edhe një emër konkret që qëndron pas shkrumbimit të mjetit të saj. Deizi Arapi ka ngritur gishtin e akuzës ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, ish-kryetar i Bashkisë së qytetit, kohë edhe kur siç pretendon 27-vjeçarja, ka ndodhur konflikti midis tyre. Ajo ka kërkuar ndihmë nga shteti për mbrojtje, duke deklaruar se herën tjetër do ta shihnin në kanal.
“I kërkoj ndihmë shtetit pasi është hera e dytë që me ndodh dhe ka lidhje me një konflikt të vjetër. Katër vite më parë mamaja ime është pushuar nga puna si pastruese padrejtësisht dhe unë jam konfliktuar me ish-kryebashkiakun Bledion Nallbati. Pas konfliktit m’u dogj makina e parë. Dje gjatë gjithë ditës më ka ndjekur një person me të cilin dhe kam shkëmbyer fjalë mbrëmë. Ai është punonjës i karburantit në pronësi të Bledion Nallbatit. Në vendngjarje është gjetur një bidon benzine nga ky karburant ashtu si herën e kaluar. Djegien e makinës së parë Policia e konsideroi aksidentale, por ja që ngjarja po përsëritet. Nëse nuk merren masa nuk është çudi që unë të përfundoj në ndonjë kanal”, tha ajo.
PRECEDENTI
Ky nuk është rasti i parë që kësaj shtetaseje i digjet makina. Në vitin 2018, motrave u është djegur edhe një automjet tip “Smart”. Hetimet në atë kohë bënë me dije se djegia e mjetit mund të ishte bërë për hakmarrje mes vajzave. Ndërkohë, dy motrat Deizi Arapi u arrestuan mëngjesin e 23 gushtit për prishje të qetësisë publike. Të rejat udhëtonin gjatë orëve të natës me makinën e tyre dhe nën efektin e alkoolit bërtisnin nëpër qytet. Sipas informacioneve, ato ofendonin gjithashtu qytetarët e rastësishëm. Sipas dosjes hetimore, më datën 23 gusht rreth orës 24:00, një grup të rinjsh, mes të cilëve edhe shtetasja në hetim Deizi Arapi, kanë qenë në qendër të qytetit të Bilishtit.
Ata bërtisnin dhe ulërinin nën zhurmën e një kasetofoni të ndezur që ndodhej në automjetin pronë e shtetases në hetim. Aty kanë shkuar disa punonjës policie dhe u kanë kërkuar të rinjve të ulin tonet pasi shqetësonin në mes të natës banorët përreth. Kërkesës së punonjësve të Policisë, Deizi Arapi, i është kundërpërgjigjur me fjalë fyese në drejtim të punonjësve të Policisë. Ajo nuk ka pranuar të ulë volumin e kasetofonit duke goditur një prej efektivëve.
U akuzua, deputeti paralajmëron padi
Deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, reagoi pasi 27-vjeçarja, Deizi Arapi, e akuzoi atë se qëndron pas djegies së qëllimshme të automjetit të saj. Deputeti demokrat dhe ish-kryetar i Bashkisë së Bilishtit, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj 27-vjeçares. Nga Gjermania ku ndodhet, ai pranoi faktin se dikur ka pasur një konflikt verbal me vajzës kur drejtonte bashkinë lokale.
“Jam i habitur nga këto akuza. Unë kam pasur vetëm një konflikt verbal kur isha krye bashkiak, por asgjë me tepër. Besoj se është nxitur nga dikush tjetër për të bërë këto akuza. Sa i përket punonjësit tim nuk mbaj përgjegjësi për çdokënd që kam të punësuar me ke zihen dhe çfarë bëjnë. Sapo të kthehem nga Gjermania do te bej një kallëzim për shpifje”, ka deklaruar për mediat Nallbati. Arapi ka ngritur gishtin e akuzës ndaj deputetit demokrat, Bledion Nallbati, dhe i bëri apel shtetit që ta marrë në mbrojtje.
Deizi Arapi bashkë me të motrën, reklamojnë një jetë luksoze në rrjetet sociale dhe bëjnë një jetë të shfrenuar në lokalet e natës atje. Ndërkohë babai i dy motrave prej vitesh është i paralizuar dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm nga bashkëshortja. Kjo e fundit, një vit më parë tregonte në media se jetonin me fitimet e nxjerra nga mbledhja e lajthive ne fushat e Devollit dhe me lekët e kempit të bashkëshortit. /Panorama