E hënë, 25 Nëntor, 2024

Asfaltohen 1.5 km rrugë të fshatit Sopot në Bashkinë e Bulqizës,pjesët e mbetura planifikohen vitin tjetër

Bashkia e Bulqizës ka përfunduar një tjetër investim në infrastrukturë rrugore. Me buxhetin e saj, bashkia ka asfaltuar rrugën e fshatit Sopot në Njësinë Administrative Zerqan.

Janë 1.5 kilometra rrugë të këtij fshati tashmë të asfaltuara, ç’ka sipas kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla pritet të ndikojnë pozitivisht në jetën e banorëve.

Sipas Allës, kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të Sopotit, ndërsa bashkia pati mundësi që për këtë vit të asfaltojë këtë segment dhe do të planifikojë që vitin e ardhshëm të asfaltohet edhe pjesa e mbetur deri në vendin e quajtur “Kisha”.

Edhe vetë banorët e Sopotit shprehen se me asfaltimin e rrugës së fshatit të tyre, do t’ju zgjidhet një gangrenë e krijuar prej dekadash. Kjo rrugë ishte një kërkesë e shtruar vazhdimisht ndaj pushtetit vendor, si ndaj ish-komunës Zerqan para vitit 2015 ashtu edhe ndaj bashkisë Bulqizë pas reformës territoriale.

Po ashtu, kryebashkiaku Lefter Alla tha se shumë shpejt për banorët e Sopotit do të nisë edhe procesi i regjistrimit të tokave bujqësore.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit