Dikur jetonin 20 familja, ndërsa sot në fshatin Viçisht i Poshtëm në Njësinë Administrative Gjoricë kanë mbetur vetëm 2 familje me katër banorë.
Ky është një nga banorët që i ka qëndruar besnik fshatit të tij, por thotë se aty ka mbaruar çdo gjë dhe se ata që kanë mbetur, në një të ardhme të afërt do të largohen për ta lënë fshatin totalisht të shkretë.
Ai tregon se shkaqet kanë qenë të shumta, ku pas viteve 90-të atyre nuk ju bë asnjë investim që t’i mbante banorët pa lëvizur. Sipas tij, mungesa e ujit të pijshëm, atij vaditës dhe infrastruktura rrugore, bënë që të rinjtë të largoheshin në emigrim, ku më pas tërhoqën edhe prindërit e tyre.
Ndërtesat e këtij fshati janë gati të rrënuara sikur vendi ka dalë nga lufta, për shkak se në to nuk ka banuar askush prej dekadash. 4 banorët e mbetur ende në fshat mundohen që të mbijetojnë pasi nuk shohin asnjë të ardhme aty si rezultat i mungesës së investimeve zhvillimore. Para viteve 90-të fshati kishte një gjallëri të madhe nga banorët, për faktin se ndodhet edhe pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, por sot ai është i braktisur thuajse totalisht.