E ftuar në emisionin “Wake Up”, moderatorja foli për rikthimin e saj në ekran.Pas dy vitesh mungesë Xhemi Shehu është rikthyer mbrëmjen e djeshme në “Portokalli”në Top Channel.
“Rikthimi im në “Portokalli” është si taman një histori dashurie nga këto që zihesh, ndahesh dhe bashkohesh prapë se të merr malli se nuk shkëputesh dot. Është e pabesueshme, unë nuk e dija që do rikthehesha. Nuk e mendoja këtë rikthimin. Madje kisha menduar se isha shkëputur përfundimisht nga ekrani. U futa pak në shina me “Qesh mirë kush qesh i fundit” por ai ishte një format i shkurtër. Mendoj se nuk më janë ndezur mirë motorët se pas dy vitesh shkëputje duhet pak punë. Por, ndjesia ime është sikur nuk jam shkëputur asnjëherë duke qenë se edhe me kolegët kam pasur kontakte. Në fakt Salsano u bë shkak i rikthimit. Ai realizoi një takim mes meje dhe drejtuesve dhe ramë dakord për një rikthim”, u shpreh Xhemi në “Wake Up”.
Ndryshe nga sezoni kur iku, Shehu rikthehet tani jo vetëm krah Salsanos por edhe krah moderatores së njohur, Fjoralba Ponari. E pyetur për bashkëpunimin me këtë të fundit, moderatorja tha se mes tyre nuk ka asnjë rivalitet dhe se është me fat që moderon krah saj.