E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Bëhet funksionale rruga e Arbrit në Vajkal…

Segmenti mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës në drejtim të Peshkopisë është hapur të dielën në mbrëmje. Prej javësh aty është punuar për rehabilitimin e tumbinos në këtë rrugë që mbledh ujërat sipërfaqësore të gjithë luginës, që nga Qafa e Buallit.

Drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë nga Tirana drejt Peshkopisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe anasjelltas, tashmë qarkullojnë lirisht në këtë segment të Rrugës së Arbrit, mes qytetit të ri dhe atij të vjetër të Bulqizës. Por banorët e zonës dhe specialistë të fushës, jashtë kameras shprehen se të gjitha këto punime që janë bërë për uljen e tumbinës 2 metra e 70 centimetra poshtë nivelit ekzistues, nuk është një zgjidhje e qëndrueshme për thithjen e ujrave që vijnë që nga Qafa e Bualli. Ata sugjerojnë se ndërhyrja duhet të bëhet për uljen e kanalit poshtë tumbinës ku janë bërë punimet për rreth një kilometër linear për thellësinë e kanalit.

Ndryshe sipas tyre, edhe këto punime që janë bërë bëhen të pavlefshme.Puna është përqendruar për zgjerimin e kanalit kullues dhe tombinos mbi të cilën kalon rruga e Arbrit në vendin e quajtur Vajkal.Por jashtë kameras, drejtuesit e automjeteve shprehen se punimet po zgjaten, ndërsa duhej të kishin përfunduar me kohë për shkak edhe të vetë specifikës së ndërhyrjes. Bllokimi i këtij segmenti i detyron automjetet që lëvizin në drejtim të Tiranës apo Peshkopisë që të përdorin unazën e poshtme të Bulqizës dhe të dalin tek ura mes dy lagjeve të qytetit.

Pavarësisht se punimet kanë përfunduar pas afatit, pritet që aty ku është bërë ndërhyrja, shumë shpejt do të hidhet dhe shtresa asfaltike nga firma që ka bërë punimet.

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit