Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi shprehet kundër parimeve që do të organizojë Partia Demokratike për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale.
Duke folur në një intervistë në Ora News, ajo tha se nuk mund të bëhen primare me simpatizantë në Shqipëri pasi mund të manipulohen shumë lehtë.
“Primaret bëhen me anëtarët e PD apo me simpatizantë? Me simpatizantë ti çon Erion Veliaj treçerekun e simpatizantëve këtu të partisë në Tiranë që ti bleu në zgjedhjet e 25 prillit.
Për mua primaret bëhen në një vend demokratik, Shqipëria nuk është vend demokratik. Primaret po të ishin bërë do ishin bërë në maj. Në shtator duhet të kishte nxjerrë kandidatët dhe të kishe mbushur sheshet”, tha Kryemadhi.
Ajo lëshoi edhe një mesazh të drejtë për kreun e PD-së, Berisha.
“Duhet ta ndajnë mendjen dhe ata që e rrethojnë Doktorin, një dorë në revani dhe një dorë në bakllava nuk ka më. Ata që rrethojnë doktorin të bëjnë primare që të zgjedhin Bledin se është më afër me ne dhe bizneset tona dhe jo Betin se është opozitare dhe na prish koncesionet, nuk mund të vazhdojë pa fund. Populli nuk është budalla. Sa më shumë të zgjasësh primaret…njëlloj si Lulzim Basha. Sa më shumë të vonohet PD për primaret aq më i kontestuar bëhet procesi. Për ne nuk është problem, jemi dy identitete të ndryshme por jemi në një llogore”.